Skip to main content

​​​

​Procesi i Anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian fillon zyrtarisht kur vendi aspirant i dorëzon aplikimin për anëtarësim Presidencës së BE-së. Komisioni Evropian ofron një opinion formal për vendin aplikues, duke rekomanduar dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave. Në momentin që Këshilli në unanimitet bie dakord mbi një mandat negociues, bisedimet midis vendit kandidat dhe të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së mund të hapen formalisht. Para se të fillojnë negociatat, vendi aplikant duhet të plotësojë kriteret e anëtarësimit në BE.

 

Në vitin 2009 Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian paraqiti një opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Evropian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit.


Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.

 

Në qershor të vitit 2014, Këshilli Evropian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Marrja e statusit të vendit kandidat shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërmarra dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE. ​


Hapi tjetër i radhës në këtë proces është hapja e negociatave (bisedimeve) për anëtarësimin në BE, i kushtëzuar nga përmbushja e plotë e 5 prioriteteve kyçe si:

 

  1. Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar;

  2. Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë;

  3. Lufta kundër korrupsionit;

  4. Lufta kundër krimit të organizuar;

  5. Mbrojtja e të drejtave të njeriut.

​P​as përmbushjes së këtyre 5 prioriteteve, detyra e Shqipërisë gjatë procesit të negociatave do të jetë miratimi dhe vënia në zbatim e të gjithë acquis të BE-së, të cilat ndahen në 35 kapituj, ecuria e secilit prej tyre monitorohet dhe vlerësohet nga Komisioni Evropian. Vetëm pasi bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët (Shqipëri dhe BE), vendi mund t’i bashkohet unionit. Në kuadër të procesit monitorues, Komisioni Evropian mat periodikisht progresin e Shqipërisë në përmbushjen e agjendës evropiane nëpërmjet Raporteve të Progresit të cilat publikohen një herë në vit.​

Raporti për S​hqipërinë 2019

Raporti për Shqipërinë 2018

Raporti për Shqipërinë 2016

Raporti për Shqipërinë 2015

Progres Raporti 2014

Progres Raporti 2013

Progres Raporti 2012


Për më shumë informacione mund të klikoni këtu https://punetejashtme.gov.al/integrimi-ne-be/