“Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike" (Tetor 2019 – Prill 2021)
Projekt i financuar nga fondet IPA 2014 të Bashkimit Evropian.
Ky projekt zbatohet nga Public Administration International (PAI) nga Mbretëria e Bashkuar, në partneritet me École Nationale d'Administration (ENA) nga Franca, Agence Française d'Expertise Technique International (AFETI) – Expertise France nga Franca, IBF International Consulting nga Belgjika dhe IDRA shpk nga Shqipëria.
Më shumë:
Nëpërmjet këtij projekti, Bashkimi Evropian po mbështet Shqipërinë në forcimin e një administrate publike profesionale, të paanshme, të pavarur e të bazuar në meritë.
Konkretisht punohet për të:
- Mbështetuar dhe forcuar më tej Departamentin e Administratës Publike si drejtues i reformës së shërbimit civil dhe reformës në sistemin e pagave;
- Rritur kapacitetet e administratës publike duke krijuar mekanizma të cilët lehtësojnë dhe unifikojnë kryerjen e proceseve administrative;
- Forcuar Shkollën Shqiptare të Administratës Publike në ofrimin dhe menaxhimin e trajnimeve cilësore, si institucionin e vetëm qendor për trajnimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore.
Me mbështetjen e projektit, Administrata Publike do të:
- Aplikojë reformën në sistemin e pagave, duke e lidhur pagën me eksperiencën, performancën dhe formimin profesional;
- Krijojë një sistem të unifikuar të burimeve njerëzore për të gjithë administratën publike qendrore dhe lokale;
- Përgatisë materiale orientuese të cilat do t'i shërbejnë administratës publike si udhëzues për kryerjen e punës dhe menaxhimin e burimeve njerëzore sipas standardeve evropiane;
- Zhvillojë mekanizma monitorimi që synojnë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për nëpunësin civil dhe standarde koherente për të gjithë administratën publike;
- Forcojë bashkëpunimin mes institucioneve të pavarura mbikëqyrëse;
- Rrisë aksesin e qytetarëve ndaj informacionit publik;
- Përmirësojë cilësinë e trajnimeve të administratës publike me synim rritjen e profesionalizmit të punonjësve.
AKTIVITETE
Lançohet projekti “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike"

Në datën 14 dhjetor u zhvillua takimi për lançimin e projektit IPA 2014. Projekti ka në fokus reformën në strukturën e pagave, përcaktimin e kritereve të performancës së punonjësve dhe institucioneve, krijimin e një sistemi të unifikuar të burimeve njerëzore për të gjithë administratën publike qendrore dhe lokale, përforcimin e rolit monitorues të Departamentit të Administratës Publike, si dhe hartimin e kurrikulave të trajnimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).
Projekti “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike” i cili financohet nga fondet IPA 2014 do të zgjasë 30 muaj. Si çdo projekt shumë i rëndësishëm, Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor në rrugën drejt reformave dhe integrimit të Shqipërisë.
Tryeza e parë e konsultimit për reformën e pagave
Në datën 20 qershor, Departamenti i Administratës Publike në kuadër të projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike” organizoi tryezën e parë të konsultimit për reformën e pagave në shërbimin civil.
Reformimi i sistemit aktual të pagave të nëpunësve publikë synon përcaktimin e rregullave dhe standardeve për krijimin e një sistemi të drejtë që shpërblen nëpunësit në bazë të parimit “pagë të njëjtë, për punë të njëjtë”.
Ekspertët prezantuan draftin e parë të rekomandimeve, i cili përmban analizën e sistemit aktual të pagave, si dhe propozime lidhur me aplikimin e skemës së re të pagave. Në propozim përfshihen skema e pagave për nëpunësit civilë si dhe për punonjësit mbështetës.
Në aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të Kryeministrisë, ministrive të linjës dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Workshop për përmirësimin e rekrutimit në shërbimin civil
Në datat 17-18 dhe 20-21 qershor, mbi 40 anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit, përfaqësuar nga DAP dhe institucionet e administratës shtetërore, u trajnuan në dy grupe të veçanta mbi metodat e vlerësimit të elementëve të personalitetit të çdo kandidati, gjatë intervistave të punës.
Workshop-i me temë “Përmirësimi i mënyrës së rekrutimit në shërbimin civil” kishte për qëllim rritjen e aftësive rekrutuese në përmirësimin e mënyrës se si një anëtar i Komiteteve të Vlerësimit duhet të:
- Intervistojë kandidatët për aftësitë dhe ndërveprimin e tyre social;
- Identifikojë dhe analizojë profilin personal të kandidatëve;
- Përputhë maksimalisht kërkesat e pozicionit në administratë me profile të përshtashëm kandidatësh

Shkëmbim eksperiencash me administratat e vendeve të BE-së mbi reformat në administratën publike
Vizitë studimore në Lisbonë
Sistemi i ri i klasifikimit të pagave, vlerësimit të performancës së nëpunësve civilë dhe shpërblimet në administratën publike sipas shembujve më të mirë në Bashkimit Europian.
Në kuadër të projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike" përfaqësues nga Kryeministria, Departamenti i Administratës Publike dhe Ministrisa e Financave dhe Ekonomisë, patën mundësinë të shkëmbenin eksperiencat më të mira të reformave të realizuara nga kolegët e tyre Portugezë nëpërmjet një vizitë treditore studimore në Lisbon, në datat 15, 16 dhe 17 korrik.
Vizita në Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës dhe Punësimit Publik kishte për qëllim njohjen me arritjet dhe sfidat mbi reformën në administratën publike, dhe sidomos reformën në fushën e pagave, menaxhimin e burimeve njerëzore, përshkrimet e punës, sistemin e shpërblimit etj.
Ndër të tjera, u shkëmbyen edhe përvojat e Shqipërisë dhe Portugalisë në fushën e rekrutimit të nëpunësve civilë, zhvillimin e karrierës në shërbimin civil, trajnimet e ndryshme etj.
Kjo eksperiencë do të shërbejë si një vlerë e shtuar në pikëpamje të punës që po bëhet falë mbështetjes së Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike", i cili bëri të mundur këtë eksperiencë. Ekspertët e projektit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Administratës Publike po punojnë intensivisht për të përmirësuar edhe më tej zbatimin e reformës së shërbimit civil nëpërmjet reformës së pagave, forcimit të kapaciteteve të institucioneve, përmirësimit të menaxhimit të burimeve njerëzore, etj.
Reforma në sistemin e pagave, si një nismë shumë e rëndësishme, do të rrisë më tej aftësitë e punonjësve publikë, duke vlerësuar trajnimin e tyre të vazhdueshëm dhe aftësinë për të kryer punën. Për më tepër detaje mbi Projektin dhe synimet, ju ftojmë të lexoni materialet informuese Broshura.


Vizitë Studimore në Dublin, Irlandë
Në kuadër të projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike" përfaqësues nga Kryeministria dhe Departamenti i Administratës Publike patën mundësinë të shkëmbenin përvojat për praktikat më të mira në shërbimin civil me kolegët irlandezë.
Vizita studimore e zhvilluar në datat 23, 24 dhe 25 Shtator 2019, në Dublin, organizuar nga Instituti i Administratës Publike në Irlandë kishte si synim njohjen me sfidat dhe arritjet e reformave të ndërmarra në shërbimin civil.
Në fund të vizitës studimore, Instituti i Administratës Publike pajisi pjesëmarrësit me certifikatë pjesëmarrjeje për programin e shkëmbimit të eksperiencave më të mira në shërbimin civil.

Video informuese për ecurinë e Projektit IPA 2014
“Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike”
Departamenti i Administratës Publike publikoi në faqen zyrtare dhe rrjetet e tij sociale, një video informuese për ecurinë e projektit IPA 2014 “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike”, i cili po implementohet në Shqipëri që prej tetorit të vitit 2018.
Qëllimi i videos është informimi për risinë dhe vlerat e këtij projekti, jo vetëm për administratën, por edhe për qytetarët.
Në video shpjegohen vlerat e shtuara që do të sjellë ky projekt për administratën dhe qytetarët për:
Sistemin e pagave të punonjësve publikë;
Përmirësimin e përshkrimeve të punës;
Përgatitjen e materialeve orientuese që do ti shërbejnë punonjësve si udhëzues për të kryer punën sipas standardeve evropiane;
Krijimin e mekanizmave të posaçëm për përforcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të pavarura mbikëqyrëse;
Përmirësimin e cilësisë së trajnimeve të administratës publike duke i përshtatur me eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së etj.
DAP po udhëheq zbatimin e projektit dhe po koordinon gjithë punën duke bashkëpunuar ngushtë me Kryeministrinë, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ministritë e linjës dhe të gjitha institucionet e tjera të përfshira në këtë projekt.
Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni videon: