Skip to main content

​​​Projektet e zhvillimit në Shqipëri synojnë të japin mbështetje financiare dhe politike gjatë gjithë procesit të tranzicionit të perspektivës evropiane, deri në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Fondet e këtyre projekteve ndihmojnë vendin në ndërmarrjen e reformave politike dhe ekonomike, si dhe përgatitjen e tij mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në BE. Asistenca që vjen nga këto projekte zhvillimi ofron për qytetarët e shteteve aderuese mundësi më të mira për arritjen e standardeve të barabarta, sikurse ato që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Asistenca financiare e BE-së për Shqipërinë

Instrumenti i Para - Aderimit (IPA)

Që prej vitit 2007, Bashkimi Evropian paraqiti një instrument të ri në perspektivën financiare quajtur Instrumenti i Asistencës së Para - Anëtarësimit (IPA).

IPA përbën një kuadër të vetëm legjislativ i cili ka zëvendësuar të gjitha instrumentet dhe programet e mëparshme të ndihmës së ofruar nga BE për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor, i cili aplikohet për vendet kandidate dhe kandidate potenciale.

Që prej krijimit të saj, IPA u bë instrumenti kryesor që mbështet vendet kandidate dhe gjatë perspektivës së anëtarësimit në përshtatjen e sistemit të tyre me standardet dhe politikat evropiane duke synuar reforma në kuadrin e sektorëve të paracaktuar te cilët mbulojnë fusha te lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit apo zhvillimi dhe konkurrenca. IPA ndihmon në forcimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e ligjit, në promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, në mbështjen dhe zhvillimin e shoqerisë civile, barazisë gjinore, në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, në zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe kontribuon në reduktimin e varfërisë. Në këtë drejtim, IPA është një instrument që mbështet vendet në përmbushjen e kritereve politike dhe ekonomike dhe në përafrimin e legjislacionit të tyre kombëtar me atë të BE-së.

Vendet përfituese të IPA-s janë Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Serbia dhe Kosova, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

 

Për më shumë informacion klikoni në linkun:

http://punetejashtme.gov.al/instrumenti-i-asistences-se-para-anetaresimit/