“Administrata.al” është platforma më e re e integruar e komunikimit dhe raportimit të përbashkët për të gjithë administratën publike, përfshirë këtu edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kjo platformë është një burim i vetëm dhe i përqëndruar informacioni, që siguron shkëmbim praktikash dhe eksperiencash në funksion të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore për të gjitha nivelet e administratës duke sjellë përfitime reale për të gjithë përdoruesit, e në mënyrë të veçantë për përdoruesit e saj kryesorë, nëpunësit e njësive të menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike.
Kjo platformë, e administruar nga Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Komisionerin e Mbikqyrjes së Shërbimit Civil, njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore të administratës publike, përfshirë edhe organet e vetëqeverisjes vendore dhe të institucioneve të pavarura, përmban 12 funksionalitete të cilat synojnë përmirësimin e ndërveprimit mes institucioneve publike duke:
- Lehtësuar komunikimin dhe raportimin e informacionit në kohë reale;
- Unifikuar praktikat administrative;
- Përmirësuar cilësinë e punës në drejtim të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore.
Përdorimi i platformës nga të gjitha institucionet e administratës publike, përfshi dhe pushtetin vendor konsiderohet një hap i madh drejt një administrate më efektive, transparente dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të përmirësojë gjithashtu ofrimin e shërbimeve si dhe besimin e publikut në institucionet e vendit duke siguruar raporte dhe informacione të përditësuara mbi treguesit kryesorë të menaxhimit të burimeve njerëzore si: rekrutimi në shërbimin civil, mobiliteti, promovimi në detyrë, zhvillimi i karrierës brenda shërbimit civil, disiplina në punë etj.
Administrata.al si një qasje inovative në menaxhimin e burimeve njerëzore u krijua me mbështetjen e projektit “Fuqizimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore” financuar nga Qeveria Zviceriane dhe implementuar nga Këshilli i Europës.
Administrata.al - platforma dedikuar posaçërisht përmirësimit të punës së administratës publike.
Zhvillim i ri drejt përmbushjes së vizionit tonë qeverisës për një administratë profesionale, efiçente dhe një urë më shumë në aksesin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve!