Skip to main content

​​​​​​​​​​

Prioritete dhe strategji


Reforma në administratën publike në Shqipëri është një proces i domosdoshëm dhe i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE).  Kjo reformë ështe në vijimësi, një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, reflektuar në Programin Qeverisës 2017 - 2021, si një instrument kyç për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit dhe si kusht për proceset integruese të vendit.


1. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe​ Integrim 2015 - 2020


Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 (SKZHI) është dokumenti kryesor strategjik kombëtar që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të vendit, duke siguruar përmbushjen e standardeve dhe progresin në procesin e integrimit evropian.

SKZHI 2015-2020 kombinon agjendën zhvillimore me proceset integruese të vendit, duke përmbledhur vizionin, prioritetet dhe objektivat madhore kombëtare. SKZHI 2015-2020 është një platformë kyçe për planifikimin e zhvillimit të vendit për periudhën 5 vjeçare 2015-2020.


2. Strategjia Ndërsektoriale e ​Reformës në Administratën Publike 201​​5  – 2020


Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike do të ofrojë kornizën e përgjithshme për reformën e Administratës Publike Shqiptare për periudhën 2015-2020. Strategjia do të shërbejë si një dokument strategjik i hartuar në vijim të dokumenteve të mëparshëm të miratuara nga Qeveria e Shqiptare, lidhur me reformimin e administratës dhe përmbushjen e detyrimeve për integrimin në BE.  Strategjia e re 2015- 2020 synon dhe ka në fokus jo vetëm shërbimin civil, por edhe elementë të tjerë të rëndësishëm për t’iu përgjigjur nevojës për përmirësimin e shërbimeve të ofruara për qytetarët dhe biznesin, rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë apo çështje si inovacioni i qeverisjes.

​​

3. Strategjia Ndërsektoriale "Axhenda Dixhitale​ e Shqipërisë 2015 - 2020"​ ​​


Strategjia Ndërsektoriale “Axhenda Dixhitale e Shqipërisë 2015 - 2020”, u miratua me vendimin nr. 284 datë 01.04.2015, të Këshillit të Ministrave. Kjo strategji e hartuar në përputhje me Axhendën Europiane 2020 dhe Strategjinë Rajonale SEE - 2020, synon një drejtim të koordinuar dhe efikas të zhvillimeve në axhendën dixhitale. Prioritetet madhore të kësaj strategjie janë: zhvillimi i qeverisjes elektronike, përmirësimi i infrastrukturës kombëtare të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, dhe krijimi i Kadastrës së Shumëqëllimshme.


4. Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 - 2020


Ky dokument ka për qëllim të integrojë politikat ekonomike, arsimore, formuese, si dhe sipërmarrëse, duke prodhuar një plan veprim i cili synon ta nxjerrë shoqërinë shqiptare nga ngërçi i papunësisë. Nëpërmjet kësaj strategjie synohet të rritet niveli i punësimit, duke bërë të mundur një kalim gradual prej politikave pasive të papunësisë në ato aktive stimuluese të punësimit. Veçoria që e dallon këtë dokument është karakteri i tij realist, në përputhje me situatën në vend dhe kapacitetet zhvillimore të tregut shqiptar të punës.


5. Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014 - 2020


Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014 - 2020, përbën dokumentin bazë për evidentimin dhe zbatimin e politikave kombëtare për nxitjen e biznesit dhe investimeve për periudhën 2014 - 2020. Strategjia është në linjë me dokumentet kryesore të Komisionit Evropian në fushën e nxitjes së biznesit dhe investimeve dhe si e tillë ka në fokus të saj edhe një nga prioritetet kryesore të BE-së për periudhën 2014 - 2020, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Strategjia nxit zhvillimin e një sektori produktiv industrial, të aftë të përpunojë lëndët e para në vend dhe të rrisë vlerën e shtuar përmes nxitjes së investimeve, aplikimit të teknologjive të reja, prodhimit të pastër dhe rritjes së profesionalizmit që përbëjnë themelin e krijimit të një industrie konkurruese.


6. Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014 - 2020​​


Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (SNZHRB) është përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU). Objektivi kryesor i SNZHRB-së është përcaktimi i kuadrit strategjik për trajtimin e sfidave me të cilat përballen sektori i bujqësisë dhe agropërpunimit, si dhe zhvillimi i zonave rurale në një mënyrë të qëndrueshme ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke propozuar instrumente politikash të ngjashme me instrumentet e CAP (PPB-së), duke i kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes së sektorëve, instrumenteve të politikave dhe përshtatjes institucionale për anëtarësimin në BE, për të arritur një përmirësim të qëndrueshëm të konkurrencës së Shqipërisë.


7. Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014 - 2020


Kjo strategji është miratuar me VKM-në nr. 908, datë 17.12.2014. Strategjia e MFP-së është e rëndësishme për arritjen e kritereve të përshtatshmërisë në lidhje më MFP për mbështetjen e buxhetit të sektorit. Zbatimi i strategjisë së MFP-së është vendimtar për përmirësimin e PBA-së. Vizioni i strategjisë së reformës të MFP-së është garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik.


8. Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2015 - 2020


Kjo strategji trajton korrupsionin në tre drejtime: parandalimin, ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin. Lidhjet me reformën e sektorit të drejtësisë rezultojnë nga objektivat në kuadër të qasjes represive, e cila përfshin: përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit në ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit; përmirësimin e kuadrit ligjor për ndjekjen e krimeve ekonomike dhe financiare; përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ligjor dhe policor në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.


9. Strategjia Ndërsektoriale e Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013 - 2020


Kjo strategji është një instrument që mbledh të gjithë aktorët e interesuar shtetërorë dhe joshtetërorë, si edhe partnerët ndërkombëtarë, në një dakordësi mbi situatën në lidhje me trafikimin e personave, sfidat e hasura dhe kapërcimi i tyre. Vizioni në këtë strategji është: Trafikimi i personave mund të parandalohet me sukses nëpërmjet fuqizimit social dhe ekonomik të individit, grupeve dhe popullatës në përgjithësi, nëpërmjet zbatimit efikas të ligjit dhe ndëshkimit të shkelësve, si dhe nëpërmjet identifikimit të çdo viktime trafikimi, duke i dhënë asaj ndihmën, mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për t’u rimëkëmbur e kthyer në jetën normale, si dhe duke siguruar dëmshpërblimin dhe kompensimin.


10.Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Mbetjeve


Strategjia mbulon periudhën 2010-2025, e cila është parë si periudhë e rëndësishme para dhe menjëherë pas pranimit në BE, kohë gjatë së cilës Qeveria Shqiptare e ka kthyer administrimin e mbetjeve në një çështje prioritare dhe ku do të duhen të bëhen përpjekje të rëndësishme për të përmirësuar rrënjësisht situatën aktuale. Strategjia bazohet në katër shtyllat themelore politike të politikës kombëtare mbi mbetjet, si: planifikimi, edukimi, burimet dhe legjislacioni.


11. Strategjia Ndërsektoriale Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë 2012 - 2020


Strategjia për të Drejtat e Pronësisë ndjek objektivat afatgjatë të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për periudhën 2013-2020​.  Përparësitë e Strategjisë për të Drejtat e Pronësisë:


  • Gjetja e rrugës së duhur të zgjidhjes përfundimtare të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave;

  • Integrimi i zonave dhe ndërtimeve informale të legalizuara;

  • Përfundimi i regjistrimit fillestar të gjitha pasurive;

  • Dixhitalizimi i sistemeve.


12. Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2017 – 2020


Konsolidimi i pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit; rritja e transparencës dhe konsolidimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë; përmirësimi i mëtejshëm i shërbimit ekzekutiv publik dhe privat dhe kryerja e profesionave ligjore falas; garantimi i të drejtave themelore personale dhe transformimi i ndëshkimit penal në mundësitë e ri-arsimimit; të përmirësohet më tej infrastruktura e burgjeve dhe mekanizmat e sigurisë në burgjet dhe sistemet e paraburgimit, në përputhje me standardet dhe konventat ndërkombëtare; instalimi i kamerave në të gjitha institucionet e burgjeve; dhe duke transformuar gradualisht lehtësira për të miturit në struktura të hapura ose pjesërisht të hapura; krijimi i një baze të dhënash të centralizuar elektronike të të dhënave për të burgosurit që ofrojnë statistika.


13. Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2014 - 2020


Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2014-2020 (SKNDQV) paraqet vizionin e qeverisë Shqiptare për forcimin e demokracisë vendore dhe përparimin e procesit të decentralizimit sipas standardeve më të përparuara evropiane. Qëllimet dhe objektivat e kësaj strategjie përputhen plotësisht me qëllimet dhe objektivat e përgjithshme të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014-2020 për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. SKNDQV mishëron qëllimin e programit të qeverisë për ta “shndërruar Shqipërinë në një model që frymëzon paqen dhe zhvillimin në rajon.”


14. Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2015 - 2020


Strategjia e Mbrojtjes se Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes se Tregut 2020, është dokumenti politik i cili vendos në qendër të tij konsumatorët dhe synon fuqizimin e tyre për një rol aktiv në treg, duke ushtruar të drejtat dhe fuqinë e tyre të zgjedhjes së mirë informuar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Strategjia e Evropës Juglindore (EJL) 2020, që reflekton atë Evropiane 2020, synon rritje dhe zhvillim të zgjuar, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.


15. Strategjia Sektoriale për Arsimin Parauniversitar 2015 - 2020


Strategjia  e Zhvillimit  të Arsimit Parauniversitar  2014–2020 (në vijim, SZHAPU) është  një nga përbërësit e Planit Strategjik të Arsimit 2014–2020. Ajo ndjek Strategjinë Kombëtare të APU-së 2009-2013 dhe  i shërben përsosjes së sistemit arsimor që vlerësohet një nga promotorët e zhvillimit të vendit dhe të përpjekjeve integruese. Dokumenti  i SZHAPU-së përcakton piketat e realizimit të ndryshimeve në APU. Ai parashtron përparësitë arsimore kombëtare për periudhën në fjalë dhe përbën, kështu, një platformë gjithëpërfshirëse, brenda  së cilës të mund të kontribuojnë aktorët institucionalë dhe grupet e interesuara.


16. Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2014 - 2020


Strategjia synon të zhvillojë politikat e duhura për të përmirësuar  më tej standardet e sigurisë kufitare, nëpërmjet:

  • Rritjes së efikasitetit në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe teknike;

  • Rritjes së kapaciteteve operacionale për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar bazuar në vlerësimin e kërcënimeve; rritjes së bashkëpunimit me strukturat e brendshme dhe partnerët fqinjë dhe të BE-së;

  • Rritjes së  kapaciteteve  investiguese dhe  orientimit të këtyre  strukturave drejt inteligjencës;

  • Rritjes së menaxhimit e përpunimit të informacionit kriminal (duke përdorur sistemin MEMEX); rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve  për aplikimin e teknologjive të reja në fushën e menaxhimit të kufirit të gjelbër dhe blu dhe aplikimi i masave plotësuese për kontrollin në territor me qëllim kontrollin e territorit në lidhje me emigracionin e paligjshëm.


Qëllimi i përgjithshëm strategjik i Qeverisë Shqiptare për menaxhimin e integruar të kufijve, është përsosja e sistemit  të sigurisë kufitare, duke arritur përafrimin e plotë me atë të vendeve anëtare të BE-së.


17. Strategjia Kombëtare Sektoriale e Rendit Publik 2015 - 2020


Strategjia e Rendit Publik, vlerëson maksimalisht dhe mbështetet në:


  • Vlerat më të mira kulturore e historike të popullit shqiptar, të trashëguara në vite dhe vokacionin e tij evropian;

  • Besimin dhe respektin e tij për shërbimin policor, si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar;

  • Vlerat  e organizatës  së Policisë dhe të punonjësve  të saj, të shprehura në legjislacion,  aktet e brendshme normative; himnin, flamurin, simbolet dhe titujt e saj;

  • Cilësitë e krijuara të ndershmërisë, të përkushtimit dhe integritetin në detyrë;

  • Traditat dhe aktet heroike të punonjësve në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve;

  • Arritjet e veprimtarisë së përditshme për mbrojtjen e  ligjit dhe të kontrollit ndaj krimit, eksperiencën profesionale etj.


18. Strategjia Kombëtare Sektoriale për Mbrojtjen Sociale 2016 - 2020


Strategjia e Mbrojtjes Sociale 2015-2020 adreson reformat madhore të ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë, vendos objektiva të qarta për të ndërtuar një sistem të konsoliduar dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale në Shqipëri.


Strategjia e Mbrojtjes Sociale ka vizion të qartë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë qëndrore dhe Pushtetit Vendor në fushën e shërbimeve sociale të integruara, duke ndërtuar struktura të shërbimeve sociale dhe paketën e sherbimeve minimale për çdo individ në nevojë, me qëllimin e vetëm që të ofrojë mbrojtje për individët aty ku lind nevoja dhe sa më pranë komunitetit.


19. Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore 2017 - 2018


SKMIBU është dokumenti kuadër për menaxhimin e ujërave për zhvillimin e planeve dhe dokumentave të tjera strategjike në fushën e planifikimit territorial, mbrojtjes së mjedisit, diversitetit biologjik dhe peisazhit, bujqësisë, pylltarisë, peshkimit, transportit, turizmit, shëndetit publik si dhe dokumente të tjera përkatëse. Strategjia integron objektivat e politikave ekzistuese shqiptare duke marrë parasysh rreziqet që pritet të vijnë nga ndryshimet klimatike bazuar në katër ‘shtylla’ strategjike: ‘Ujë për Njerëzit’, ‘Ujë për Ushqim’, ‘Ujë për Industrinë’, dhe ‘Ujë për Mjedisin’.


20. Strategjia Kombëtare për Diasporën 2018 - 2024


Strategjia nxit zhvillimin e politikave shtetërore për përfshirjen dhe kontributin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në zhvillimin socio-ekonomik dhe politik të Shqipërisë. Strategjia synon që nëpërmjet politikave të bashkëpunimit me Diasporën dhe migrantët të forcojë dhe lehtësojë marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tyre pritëse.


Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018 - 2024 është një instrument i cili trajton gjendjen e fenomenit migrator dhe diasporës së Shqipërisë. Ajo jep një numër rekomandimesh, të cilat do të mund të qartësojnë punën e ardhshme të strukturave shtetërore.


21. Strategjia e Drejtësisë për të Mitur 2018 - 2021


Mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të miturve është një ndër prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, e jetësuar në Programin e Qeverisë Shqiptare nën objektivin madhor: “Zbatimi i reformimit të sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin, duke forcuar sistemin e drejtësisë restauruese dhe mbrojtjen efektive procedurale”.


Qëllimi i Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit 2018–2021 është promovimi dhe mbrojtja më efektive e të drejtave dhe nevojave në proceset gjyqësore dhe alternativat ndaj këtyre procedurave, për të miturit në konflikt me ligjin, viktima, dëshmitar të veprave penale, të miturit nën moshë për t’u ndjekur penalisht dhe të miturit pjesëmarrës në proceset gjyqësore, kryesisht atyre penale, nëpërmjet implementimit të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.


22. Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2019 - 2021


Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit (SAMB) është një plan afatmesëm, të cilin Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta zbatojë duke pasur si objektiva parësore: - Sigurimin e realizimit të nevojave të qeverisë për financim, si edhe nevojave për të shërbyer borxhin aktual me kosto sa më të ulët dhe duke mbajtur nivele të pranueshme të ekspozimit ndaj risqeve; - Zhvillimin e tregut primar dhe hedhjen e hapave për zhvillimin e tregut sekondar të titujve shtetërorë vendas.


Qëllimi i SAMB është menaxhimi në mënyrë efikase i portofolit të borxhit të qeverisjes qendrore, në të cilin përfshihet borxhi shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë; - Rritjen e transparencës ndaj investitorëve dhe palëve të interesuara në lidhje me planet e huamarrjes së qeverisë; si edhe - qartësimin dhe kuantifikimin e objektivave në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.


23. Strategjia Kombëtare e Energjisë për periudhën 2018 - 2030


Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018–2030 është dokumenti kryesor strategjik për sektorin energjetik të vendit. Ajo është në përputhje me përpjekjet kombëtare për të mbështetur zhvillimin

ekonomik dhe për të përmbushur angazhimet në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, procesin e integrimit në BE dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, duke rritur sigurinë e furnizimit me energji dhe duke minimizuar ndikimet mjedisore me kosto të përballueshme për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë sektorët e ekonomisë.


Vizioni 2030 - Zhvillimi i burimeve kombëtare të energjisë që çon në një sistem rajonal të integruar dhe të diversifikuar të energjisë  bazuar në parimet e tregut, i aftë për të përmbushur kërkesën për energji dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit, sigurimin, mbrojtjen e mjedisit dhe veprimet klimatike, dhe rritjen e mirëqenies me kosto sociale minimale.


24. Strategjia Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin 2017 - 2022


Strategjia Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 2017 - 2022 përbën një dokument të rëndësishëm programatik të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Hartimi i këtij dokumenti u realizua në kuadër të objektivave të qeverisë shqiptare për nxitjen e mbështetjen e kërkimit shkencor, duke patur parasysh rolin që ai luan përmes inovacionit dhe risive teknologjike, në dobi të zhvillimit socio-ekonomik.


Strategjia identifikon priroritet dhe objektivat kryesorë në lidhje me konsolidimin e mëtejshëm të reformës së arsimit të lartë e kërkimit shkencor duke e harmonizuar atë me parimet e Zonës Europiane të Kërkimit Shkencor - ERA. Nëpërmjet Planit të Veprimit, strategjia ka përcaktuar aktivitete të rëndësishme që shtrihen përgjatë periudhës 2017-2022 duke synuar që struktura institucionale e kërkimit shkencor përmes Universiteteve publike e jopublike, Akademisë së Shkencave, qendrave e institucioneve kërkimore dhe biznesit të ofrojë mundësi për zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë.


25. Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Plani i Veprimit 2016 - 2020

Qeveria e Republikës së Shqipërisë i konsideron si prioritare çështjet e barazisë gjinore, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje, të lidhura ngushtë me proçeset integruese të vendit. Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore dhe Plani i Veprimit 2016- 2020 synon të çojë më tej arritjet dhe të plotësojë edhe ato boshllëqe të evidentuara tashmë, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtare, duke synuar edhe publikun e gjerë.


Parimet kryesore që udhëheqin këtë strategji janë:


→ Barazia gjinore, kusht për një shoqëri të drejtë, të qëndrueshme e socio-ekonomikisht të zhvilluar

→ Ndjeshmëri dhe trajtim i barabartë ndaj nevojave të veçanta të të dyja gjinive

→ Njohja, vlerësimi dhe respektimi i diversitetit

→ Tolerancë zero kundrejt dhunës ndaj grave e dhunës në familje Koordinimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional.


26. Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016 - 2020

Kjo strategji është dokumenti ndërsektorial, i cili konkretizon një nga përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për vendosjen e dialogut gjithëpërfshirës ndërmjet aktorëve të ndryshëm, për të krijuar kushte të përshtatshme për respektimin dhe mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale. Implementimi i Strategjisë 2016-2020 do të përbëjë një element thelbësor në progresin e mëtejshëm social ekonomik, në rritjen e konkurrencës së ndershme, krijimin e besueshmërisë në treg, dhe integrimin evropian.


Misioni i kësaj strategjie është stimulimi i rritjes ekonomike dhe zhvillimit kulturor dhe shkencor në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet forcimit të ndikimit të sistemit të PI në zhvillimin ekonomik të vendit. Fokusi i saj është përmirësimi i funksionimit të sistemit të Pronësisë Intelektuale me qëllim, nxitjen dhe mbështetjen e inovacionit nëpërmjet nxitjes së punës kërkimore, në veçanti nga kompanitë shqiptare, universitetet vendase dhe individët, për të asistuar ekonominë shqiptare dhe qytetarët në rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe drejt standardeve më të larta.


Kjo Strategji synon rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë.


27. Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2018 - 2020

Plani Kombëtar për Integrimin Evropian përfshin masa afatshkurtra dhe afatmesme që shtrihen deri në vitin 2020, me synimin që Shqipëria të ketë përafruar plotësisht legjislacionin e saj me acquis të BEsë, si edhe që të gjithë sektorët të përmbushin standardet e përcaktuara në kapitujt e acquis.


PKIE rishikohet çdo vit duke pasur parasysh progresin e arritur, jo vetëm në ritmin e përafrimit, por edhe në zbatimin e legjislacionit të përafruar.


Përafrimi i legjislacionit të brendshëm me acquis të BE-së konsiston në këta hapa:


Analiza e legjislacionit të Bashkimit Evropian;

Identifikimi i mangësive/akteve kontradiktore të legjislacionit shqiptar;

Hartimi/rishikimi i akteve shqiptare të përafruara;

​ Monitorimi i zbatimit të legjislacionit të përafruar.


PKIE synon të koordinojë këtë proces përafrimi duke përcaktuar prioritetet për aktet që do të përafrohen, ministritë përgjegjëse për hartimin/rishikimin e projektakteve shqiptare, shkallën e përafrimit, si dhe datat e miratimit dhe afatet e hyrjes në fuqi. Hartimi me cilësi i planit dhe miratimi i tij do të përmirësojnë koordinimin e këtij procesi dhe monitorimin e tij.