Skip to main content

​​​

Marrëdhëniet e punës të punonjësve të Administratës Publike në Shqipëri rregullohen me ligje të posaçme si dhe me akte nënligjore. Më konkretisht nga Ligji 152/2013 ‘Për nëpunësin Civil’, i ndryshuar dhe dispozitat e Ligjit Nr. 7961/1995, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i  ndryshuar.


Shërbimi Civil në vendin tonë u rregullua për herë të parë me Ligjin Nr. 8095 datë  21.03.1996, “Për Shërbimin Civil në Republikën e Shqipërisë”, por nuk gjeti zbatim dhe pas tre viteve u zëvendësua me një tjetër ligj me të njëjtin objekt, Ligjin Nr. 8549,  datë 11.11.1999, “Për Statusin e Nëpunësit Civil”. Ndërkohë në 30 maj 2013, Kuvendi miratoi Ligjin e ri 152/2013 ‘Për nëpunësin Civil’.


Aplikimi për në pozicionet vakante pjesë e shërbimit civil


Departamenti i Administratës Publike është përgjegjës për menaxhimin e shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore, ku bëjnë pjesë Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, përfshirë degët e tyre territoriale dhe administratën e prefektit.


Aplikimet për pozicionet vakante pjesë e shërbimit civil bëhen vetëm online në adresën zyrtare të Deparatamentit të Administratës Publike http://www.dap.gov.al.


Në këtë faqe do të mund të njiheni herë pas herë me të gjitha vendet e lira, afatet përkatëse, kriteret e aplikimit si dhe dokumentacionin e nevojshëm.


Fillimisht krijohet një llogari personale, vetëm një herë dhe ngarkohen të gjitha dokumentat e nevojshme. Pasi është krijuar llogaria, mund të vijohet me aplikimin për ato pozicione/grupe pozicionesh për të cilat personi ka interes. Gjithçka është online ndaj nuk duhet dorëzuar asnjë lloj dokumentacioni në formë fizike.


Në momentin që janë kryer të gjitha hapat e aplikimit me sukses, automatikisht në e-mailin me të cilin janë regjistruar të interesuarit, shkon një njoftim nga Departamenti. Ky e-mail vërteton se është shprehur interesi për të aplikuar për një pozicion/grupe pozicionesh.


Gjithashtu datat e provimeve, lista e kandidatëve fitues etj, postohen në vijim në çdo shpallje, mjafton të kërkohet në faqen e DAP me kodin ku është aplikuar dhe merret gjithë informacioni i nevojshëm. Në lidhje me rezultatet e aplikimit, çdo aplikant njoftohet automatikisht në adresën e tij.


Çdo shpallje ka kritere të përcaktuara të cilat duhet të plotësohen nga kandidati për t’u bërë pjesë e procedurës së konkurrimit.


Çdo informacion lidhur me dokumentacionin e nevojshëm, kriteret, etj gjenden në faqen e DAP, ku në rubrikën “Aktive” listohen të gjitha vendet e lira.


Për të gjitha fazat e aplikimit, Departamenti i Administratës Publike ka krijuar disa video udhëzuese të cilat shpjegojnë hapat që duhet të ndiqen. Videot gjenden këtu: