Skip to main content


Zhvillimi i kompetencave dhe njohurive profesionale të një nëpunësi civil në administratën publike është elementi kyç për rritjen e performancës së nëpunësve dhe ofrimit të shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Një nëpunës i cili ka përfituar trajnimin e nevojshëm do të performojë më mirë në vendin e tij të punës, duke mësuar më shumë mbi praktikat dhe procedurat e sakta në kryerjen e detyrave të tij. Nëpërmjet trajnimit, nëpunësit jo vetëm përfitojnë më shumë njohuri qoftë teorike apo praktike, por janë më të ndërgjegjëshëm mbi përgjegjësitë e tyre në punë.


Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) (http://www.aspa.gov.al/al/) është përgjegjëse për organizimin e programeve të trajnimit për administratën publike në Republikën e Shqipërisë. Misioni i saj është të “ofrojë trajnime dhe mundësi zhvillimi për nëpunësit civilë të administratës publike të cilat fokusohen në ngritjen e kapaciteteve menaxhuese të qëndrueshme; rritjen e përgjegjshmërisë së punonjësve të administratës; krijimin e një trupe funksionarësh publikë profesionistë, të paanshëm dhe eficientë në kryerjen e funksioneve të tyre”.


ASPA ofron formimin profesional nëpërmjet, përfshirjes së programeve të mëposhtme:


a) Programit të formimit të thelluar, në bazë të të cilit formohen kandidatët për anëtarë të TND-së;

b) Programit të formimit të vazhdueshëm, në bazë të të cilit trajnohen në vazhdimësi dhe në lidhje me punën nëpunësit civilë të të gjitha kategorive, si dhe çdo individ tjetër jashtë këtij shërbimi.


Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) (https://www.respaweb.eu/) - synon të mbështesë krijimin e sistemeve të përgjegjshme, efektive dhe profesionale të administratës publike për Ballkanin Perëndimor, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. ReSPA organizon dhe ofron aktivitete trajnuese, konferenca të nivelit të lartë, takime për rritjen e rrjetit të njohjeve profesionale dhe botime për përfitimin e njohurive dhe aftësive të reja, si dhe për të lehtësuar shkëmbimin e përvojave brenda rajonit, midis rajonit dhe shteteve anëtare të BE-së.

Instituti Evropian i Administratës Publike (EIPA) (https://www.eipa.eu/) - ofron kurse dhe trajnime të ndryshme për punonjës të administratave publike kombëtare dhe rajonale. Me një eksperiencë 35 vjeçare në këtë drejtim, ky institucion udhëheq programe zhvillimi për politikat publike të Bashkimit Evropian, duke siguruar njohuri praktike dhe teorike për të gjithë profesionistët e interesuar për të zhvilluar më tej njohuritë e tyre.


Komiteti i Helsinkit “Matra Rule of Law Training Programme​” (https://www.nhc.nl/themes/building-up-rule-of-law/matrarolt/) është krijuar për të forcuar kapacitetet institucionale në fushën e sundimit të ligjit në institucionet publike të vendeve si Shqipëri, Armeni, Bosnia - Herzegovina, Gjeorgji, Kosovë, Moldavi, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi, Turqi, dhe Ukrainë. Për këtë qëllim çdo vit organizohen 7 trajnime ku pjesëmarrësit kanë mundësinë të njihen me praktikat më të mira mbi tematikat e sundimit të ligjit. Nëpërmjet sesioneve interaktive që kombinojnë teorinë me aftësitë praktike dhe vizitat studimore, pjesëmarrësit, të cilët janë këshilltarë politikë, anëtarë të gjyqësorit apo nëpunës civil, pjesë të institucioneve publike, përfitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të udhëhequr reformat në vendet e tyre. Pjesëmarrësit krijojnë gjithashtu një rrjet alumni ku shkëmbejnë vazhdimisht njohuri të reja me njëri - tjetrin.


Centre of Excellence in Finance (CEF) (https://www.cef-see.org/) - është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2001 me Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore nga Qeveria Sllovene, me iniciativën e Ministrisë Sllovene të Financave dhe në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e tjera të financave të ish- vendeve jugosllave dhe Shqipërisë. Ka për qëllim mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve për nëpunësit civilë të Evropës Juglindore, që merren me menaxhimin e financave publike, politikat dhe administrimin e taksave dhe përpjekjet për reformën e bankës qendrore. Kuptimi i sfidave rajonale dhe reagimi ndaj tyre, duke u fokusuar në specifikat e vendit në zbatim, janë faktorët kryesorë të suksesit të operacioneve të CEF.


​​