Skip to main content
10 mësimet që nxorrën drejtuesit e Burimeve Njerëzore gjatë pandemisë 5

​​​

Pandemia solli një kulturë pune ndryshe në Shqipëri e jo vetëm. Numri i personave që po vijojnë të punojnë ende nga distanca është i madh. Por si e ndryshoi Covid-19 mënyrën e punës dhe çfarë mësimesh nxorrën drejtuesit e burimeve njerëzore për përballimin e kësaj situate? 

1. Puna në distancë është voluminoze dhe kërkon angazhim të madh 

Pas situatës së shkaktuar nga COVID-19 shumë kompani apo institucione po kombinojnë punën nga zyra dhe atë nga distanca, duke e kthyer këtë një mënyrë normale të të punuarit. Për këtë arsye lindi nevoja që institucione apo kompani të ndryshme, të hartojnë rregullore apo masa konkrete, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga autoritetet përkatëse për punonjësit, që kur të kthehen në ambientin e tyre të punës të punojnë të sigurt. 

Nëpërmjet platformave të ndryshme të komunikimit si “Teams", "Zoom", “Webex” etj, kompanitë dhe institucionet kanë zhvilluar në orare të caktuara mbledhje të ndryshme për raportimin e detyrave të ditës/javës. Edhe pse kombinimi “kujdesi për familjen” dhe “puna” është e vështirë, koha tregoi që ka mënyra edhe për zgjidhjen e kësaj situate jo të lehtë.

2. Siguria personale dhe shëndeti janë parësore

Për diçka jemi të gjithë dakord, siguria dhe shëndeti i njeriut janë parësore. Jo vetëm që drejtuesit e burimeve njerëzore e kuptojnë këtë përparësi, por edhe e gjithë bota po e manifeston në mënyrat më delikate. A i shtrëngojnë njerëzit më duart? A përqafohen më njerëzit? Si duhet të ruhet distanca mes njerëzve? Marrja e masave rigoroze për të punuar të sigurt në zyrat dhe ambientet e punës, dezinfektimi dhe rritja e higjenës në institucione tregon pikërisht se shëndeti i punonjësve është parësore. 

3. Transformimi digjital, nevojë e domosdoshme

Më parë duhej kohë për të zbatuar një program të ri në një institucion, por gjatë pandemisë për programe të ngjashme institucionet i përshtatën brenda dy javëve. Transformimi digjital nuk është një luks, por lind si nevojë e domosdoshme duke kërkuar përditësimin e sa më shumë programeve inovative të përshtatshme për punën nga shtëpia. Transformimi digjital shumëvjeçar që zhvillon institucioni u përshpejtua papritmas në disa javë. Çdo sistem, mekanizëm apo platformë duhet të funksionojë tani si nevojë e domosdoshme për të vijuar ritmin e punës.

4. Prioritet kujdesi, interesimi dhe empatia

Në kushtet ku COVID-19 ka vënë në provë gjithë botën duke ndikuar në ecurinë e punës të çdo   individi, të punuarit nga shtëpia është një sfidë e re dhe e vështirë për të gjithë të punësuarit. Burimet njerëzore të çdo institucioni duhet të luajnë një rol kyç në lehtësimin e procesit të të punuarit në distancë. Në lidhje me këtë, burimet njerëzore janë kujdesur në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm për sigurimin e mjeteve teknologjike për çdo punonjës, por edhe për kushtet e tyre psikologjike dhe fizike në ambientin e shtëpisë. Burimet njerëzore kanë ndërmarrë masa lehtësuese rreth orareve të punës apo disponibilitetit të punonjësve, duke treguar empati në çdo rast për punonjësit, një mënyrë kjo për të motivuar arritjen e rezultateve të kërkuara.

5. Thelbësore shpërndarja e autoritetit

Në gjendjet e jashtëzakonshme, si në rastin e Covid-19, shpërndarja e autoritetit është thelbësore për zgjidhjen e situatave emergjente. Institucionet duhet të koordinojnë çështjet emergjente dhe ato që presin në kohë. Burimet njerëzore janë hallka kyçe për realizimin e këtij koordinimi. Nëpërmjet përgatitjes së plan veprimeve, çështjet qendrore i janë shpërndarë dhe përshtatur çdo niveli për zbatim të mënjehershëm, si dhe për arritjen e rezulateve të parashikuara. Një strategji të tillë ndoqën dhe burimet njerëzore të çdo institucioni. Ato hartuan plane veprimi për të shpërndarë punët brenda institucionit për arritjen e rezultateve edhe në kohë të tilla. Mesazhi është i thjeshtë: çdo funksion i burimeve njerezore duhet të ketë një plan veprim për koordinim qendror me atë lokal, bazuar në platforma, strategji dhe vlera të përbashkëta. 

6. Të bësh më shumë duke përdorur mjetet e duhura online

Edhe pse situata erdhi krejt papritur, institucionet apo kompanitë e ndryshme zhvilluan mënyra të reja komunikimi dhe përqasjeje për realizimin, menaxhimin dhe raportimin e punës nga shtëpia. Platforma që më parë kishin shërbyer për trajnime online, u kthyen në mënyrë efikase për zhvillimin e punës, ndërkohë që u zhvilluan programe falas për familjet dhe për të gjithë fëmijët në shtëpi. Platformat online falas ndihmuan jashtëzakonisht shumë në realizimin dhe funksionimin e punës nga distanca. 

7. Reagoni shpejt të gjithë së bashku

Ngjarje të tilla të papritura si virusi Covid-19, shenjuan historinë edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore. Guximi, bashkëpunimi dhe veprimi/reagimi bëri që çdo drejtues i Burimeve Njerëzore të ndërtonte "ekipet e emergjencës’’ për menaxhimin e krizës. Edhe pse "jo të gjithë duhet të  merren me krizën" e rëndësishme është të "caktohet ekipi që të punojë mbi krizën", por "nuk duhet që të gjithë të punojnë për krizën". Kjo do të thotë se puna do të vazhdonte si më parë, edhe pse me vështirësi.

8. Me rëndësi të dhënat në kohë reale 

Është shumë e rëndësishme që të gjithë punonjësit të njihen me ndryshimet që ndodhin në institucion. Ekipet e emergjencës duhet të informohen vazhdimisht në lidhje me ndryshimet e numrit të punonjësve që punojnë nga shtëpia/distanca, vetë punonjësit të kenë informacione në lidhje me performancën e tyre, përgjegjësitë apo rolet e ndryshme që mund të lindin në kompani apo institucione.

9. Me rëndësi planifikimi i punës në vijim 

Institucionet "përgjigjen ndaj krizës", por kjo nuk duhet të jetë si diçka që bëjnë një herë në disa dekada. Çdo institucion do të ketë një ngjarje në baza periodike. Duhet të planifikohen masa për "gjërat që nuk shkojnë mirë" si pjesë e jetës tuaj të përditshme. Institucionet që e bënë këtë, ishin të gatshëm të reagonin në kohë. Duke ecur përpara, sigurohuni që të gjitha programet, modelet dhe njerëzit tuaj janë aty kur ju të keni nevojë. 

10. Përballja me çështjet e lidershipit

Mesazhi i fundit është ai që tashmë e dini. Këta drejtues me të vërtetë fitojnë pagën e tyre në kohë si kjo, por kur secili prej nesh është i shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë personale, këta udhëheqës janë të shqetësuar për të ardhurat, drejtimin dhe sigurinë e vendit të punës, vazhdimësinë dhe ofrimin e politikave të shëndetshme dhe te sigurta për punonjësit.

Drejtuesit e burimeve njerëzore treguan edhe njëherë se ia dolën me sukses edhe sfidave që solli Covid- 19.

*Përshtatur nga: joshbersin.com

foto.jpg