Skip to main content
6 fraza që duhet të shmangni gjatë vlerësimit tuaj të performancës 5


Edhe pse vlerësimi i performancës së punës mund të bëhet shkak për të patur pakënaqësi, në fakt nuk duhet të jetë i tillë. Vlerësimi i rezultateve të punës ju jep ju mundësinë të përmirësoheni, si dhe eprori apo shefi juaj të shikojë ecurinë e punës suaj në kompani. Një plus tjetër është edhe mundësia për ngritje në detyrë ose rritje page.

Vlerësimet janë të dobishme, por ka raste kur ndodh e kundërta, pasi mund të ndodhë të keni gabuar diku, nuk keni patur një sjellje profesionale ose nuk keni punuar mjaftueshëm dhe rezultati i vlerësimit mund të jetë jo i mirë.

Ju duhet të lini një përshtypje pozitive për të patur një të ardhme të mirë në institucionin apo kompaninë ku punoni. Në mënyrë që të shkëlqeni si punonjës i mirë, në këtë artikull do të gjeni 6 fraza që duhen shmangur, për të lënë një përshtypje sa më të mirë te shefi juaj.

1. "Kjo nuk është pjesë e përshkrimit tim të punës"           

Çdo punonjësi mund t’i kërkohet të bëjë përtej asaj që është në përshkrimin e punës. Shefi ju jep punë shtesë para se t’ju promovojë, sepse ai duhet të shohë nëse jeni të gatshëm të merrni përsipër detyra apo përgjegjësi që janë të nevojshme për të mirën e kompanisë apo institucionit ku punoni. Shefi mat kapacitetin tuaj për të parë nëse mund të mbështetet tek ju në rast se do të ketë nevojë për ndihmën tuaj, edhe pse diçka e tillë mund të mos jetë e specifikuar në përshkrimin tuaj të punës. Kjo është shenjë e një lidershipi të mirë!

2. "Duhet të fitoj më shumë para"

Vlerësimet e performancës shërbejnë ndonjëherë si potencial për rritje page. Para se të filloni të kërkoni rritje page, ju duhet ta “bindni” shefin tuaj se e meritoni rritjen e pagës. Bëni gati “dosjen” tuaj ku të përshkruani punët shtesë që keni marrë ose projektet që po drejtoni, duke i krahasuar me një vit më parë. Nëse keni bërë diçka për të ndihmuar kompaninë apo institucionin që të rritet, përmendeni atë. Vetëm pasi të keni përshkruar arsyet pse meritoni një rritje page, mund të kërkoni një të tillë.

3. "Do të largohem nga kompania nëse ..."

Në mënyrë absolute mos i vendosni kurrë shefit tuaj ultimatume. Pavarësisht sa vlerë mund të mendoni se keni në kompani, ka gjithmonë njerëz që janë gati t'ju zëvendësojnë. Në vend që të merrni një vendim të tillë, duhet të përballeni me shefin tuaj për sfidat që po hasni në kompani apo institucion. Ofroni një zgjidhje dhe shpjegoni se si nga kjo zgjidhje do të përfitoni ju dhe kompania apo institucioni ku punoni.

4. "Epo, kolegu e bëri këtë..."

Mos i përmend asnjëherë kolegët e tjerë gjatë vlerësimit të performancës suaj. Edhe ju vetë do të donit të ishit që në këtë moment të vlerësoheni vetëm ju dhe puna juaj (është mëse normale të jeni egoist ndonjëherë). Dhe ju nuk do doni që shefi juaj të mendojë se jeni i parëndësishëm apo nuk jeni një lojtar i mirë skuadre. Asnjëherë mos i fajësoni gabimet e njerëzve të tjerë. Nëse ka ndodhur një incident ku jeni fajësuar për një çështje që nuk e keni shkaktuar ju, ajo do të duhej të zgjidhej jashtë vlerësimit të performancës suaj.

5. "Ishte arritje në ekip"

Hej, përqëndrohuni sërish tek vetja. Edhe pse nuk do doni të dukeni mendjemëdhenj (dhe nuk doni të merrni vetëm ju meritën për një projekt që keni punuar me të tjerët), nëse shefi ju komplimenton për punën tuaj, mos e devijoni lavdërimin te punonjësit e tjerë. Është sërish koha të tregoni vlerën tuaj në kompani. Falenderojeni që vuri re mundin e punës tuaj, dhe nëse vërtetë nuk ndiheni mirë që po ju lavdërojnë, mund ta përfundoni bisedën aty.

6. “Asgjë për të thënë”

Edhe pse eprori juaj do të drejtojë takimin, ju gjithmonë duhet të jeni të përgatitur që disa gjëra ti thoni vetë, si për shembull; nëse do të ketë ndonjë pyetje në lidhje me detyrat tuaja, një bisedë në lidhje me të ardhmen tuaj në kompani/institucion apo diçka tjetër të rëndësishme. Nëse heshtni gjatë takimit, kjo heshtje mund t’i japë shefit tuaj përshtypjen e gabuar se ju nuk ju intereson vlerësimi, kompania/institucioni apo çështjet për të cilat ai/ajo po flet. Përfshihuni në bisedën për vlerësimin dhe tregojini eprorit se jeni të lumtur të jeni pjesë e kompanisë/institucionit edhe për vitin e ardhshëm.

Përshtatur nga “fairygodboss.com”


Employee-Performance-Review-Template.jpg