Skip to main content
Denaj për sportin: Formalizim dhe nxitje e financimeve me skema të qëndrueshme 5

  1. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj dha një deklaratë për media së bashku me deputetin e Kuvendit z. Fidel Ylli mbi problemet e ngritura ditët e fundit në raport me kërkesat e Ligës së Futbollit Shqiptar

    ———–

    Fjala e plotë e Ministres Denaj

     

    Së pari, ndihem e keqardhur që komunikimi i drejtpërdrejtë përtej ftesave dhe nevojës për të diskutuar çdo kërkesë në një tryezë të rrumbullakët, nuk u realizua.

    Kemi pritur të ulemi dje në tavolinë dhe të shohim zgjidhje të mundshme, së bashku me z. Ylli,  si i ngarkuar nga Kryeministri, si dhe përfaqësuese e Kuvendit znj. Milva Ekonomi, për të arritur komunikim të plotë mes palëve.

    Së dyti, dhe më e rëndësishmja për të informuar Përfaqësuesit e Ligës, por tanimë edhe publikun e gjerë, për atë që është bere këtë vit ne raport me mbështetjen dhe nxitjen e financimeve ne fushën e sportit dhe jo vetëm.

    Gjithashtu dëshirojmë të sqarojmë edhe cilat janë kërkesat që e vendosin Ligën sot në pozitën që të mos diskutojë dhe për më tepër të mbajë peng futbollin dhe  të përdorë instrumente për të shantazhuar qeverinë.

    Konkretisht më lejoni t'ju paraqes 4 kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit dhe qasjen tonë institucionale:

    Kërkohet që shuma e sponsorizimit në sport të llogaritet në masën 20 % direkt nga Tatim Fitimi


    Mesatarisht në vit, Tatimi mbi Fitimin është  35 miliardë lekë.

    Pra, 7 miliardë lekë kërkohet çdo vit të shkojë automatikisht për të sponsorizuar klubet sportive.

    Kjo kërkesë nuk është pranuar as në vitin e kaluar dhe nuk do të pranohet për sa kohë që skema dhe vlera nuk janë ato të duhurat për të nxitur financimet në këtë sektor të rëndësishëm.

    Por, më lejoni t'ju përcjell çfarë bëmë në këtë vit për të mbështetur këtë sektor:

    Dy ndryshime në ligjin mbi Tatimin mbi të ardhurat
    Rritëm nga 3% në 5 % shumën e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet.

    Me fjalë të thjeshta,  fitimi  i tatueshëm i çdo kompanie  që sponsorizon sportin, ulet.

    Për çdo kompani, me fitim mbi 100 milionë lekë dhe me sponsorizim deri në 5%, i njohim 3-fish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm.

    Shembull: Për çdo 100 lekë që sponsorizon biznesi, 55 lekë përballohet nga ana e tij dhe 45 lekë nga ana e shtetit.

    Përse kemi miratuar këto skema?

    Sepse se pari janë sisteme të cilat nxisin financimet e qëndrueshme dhe bëhen pjesë e strategjisë e vendimmarrjes së çdo biznesi.

    Çdo biznes e vendos vetë strategjinë për sponsorizime dhe jo shteti të vendos 20% të asaj që paguhet nga të gjithë për ta çuar në sport.

    Sigurisht është një nxitje, si për financime ashtu edhe për formalizimin e këtij sektori.

    Duke folur për formalizimin, kërkesa e dytë është përjashtimi nga Tatimi mbi pagat dhe shpërblimet për të gjithë sportistet.

    Është një sektor me sfida të mëdha si çdo sektor ekonomie për t'u formalizuar dhe e kuptojmë nevojën për të pasur një kohe.

    Vendosëm që kjo kohe të ishte 2 vjet. Formalizimi i klubeve në raport me personelin nuk mund të jetë një çështje 10 vjeçare. Formalizimi është një detyrim, për të cilin klubet duhet të ishin angazhuar më herët.


    Kërkesa e tretë lidhet me faljen e gjobave dhe detyrimeve fiskale për klubet

    Përpjekjet e Qeverisë Rama për të formalizuar ekonominë nuk nisën sot.

    Në sektorë të ndryshëm me problematika të caktuara kanë nisur që ditën e parë siç është ajo në  sektorin e energjisë,  ku pas një reforme të thellë u arrit të uleshin ndjeshëm humbjet në rrjet e për më tepër të konsiderohej formalizimi, një fakt.

    E në sinteze të kësaj falja e një kamatëvonese është e justifikuar.

    Klubet kanë krijuar detyrime të reja rreth 2 milionë euro.

    Të kërkosh falje të kamatëvonesave në këmbim të shtyrjes së formalizimit apo të marrjes peng të buxhetit të shtetit për investime apo financime është e padëgjuar.

    Prandaj, ne do të ulemi të flasim për falje, por në këmbim edhe të investimit për fusha sportive, për përmirësim e mirëmbajtje në aspekte ku kontributi i çdo anëtari lige është i ofruar.


    Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme është trajtimi dhe kërkesat e përhershme për ulje të TVSH-së nga 20% në 6 % për të gjitha shërbimet në sport, si në rastin e fushës së turizmit dhe bujqësisë.

    Sigurisht mbështetja me incentiva fiskale është e mundur për të ngritur një perspektivë zhvillimi.

    Këtë vit ulëm në 6% TVSH për të gjitha veprimtaritë në ndërtim të ambienteve sportive.

    Por, të vijosh me kërkesë për të gjitha aktivitetet është e pakuptueshme.

    Biznesi që drejton Ligën duhet të shkëputet nga të menduarit për aktivitetin e tij dhe të mendojë nxitjen e sportit,  si  dhe për të  shtuar një dozë të lartë transparence e formalizimi.

    Kjo për të mos dekurajuar asnjë dhe për të mos lejuar transaksione përtej këtij objektivi.

    Më lejoni  që të fokusohem tani  edhe te raporti me strukturën e qeverisë apo të pronësisë në varësi të pushtetit vendor.

    Jo vetëm një reformë e suksesshme decentralizimi e autonomisë së pushtetit vendor ka shtuar presionin ndaj tyre për vetëqeverisje.

    Fokusi te shërbimet publike për çdo qytetar është një detyrim.

    E në këtë kuadër pronësia e klubeve nga bashkitë shihet vetëm e lidhur me pronën e territorit.

    Nuk mund dhe nuk do jetë më e lidhur me pagesën e futbollistit.

    Modelet europiane dhe ligji i sportit në veçanti është një shembull i qartë i sjelljes së një ligji bashkëkohor në kohën e duhur dhe drejt modeleve që na integrojnë në Bashkimin Europian.

    Ju faleminderit,

    Denaj per sportin.jpg