Skip to main content
Diplomohen oficerët e rinj të Forcave të Armatosura 5

​54 kadetë të rinj përfunduan me sukses kursin 9 - mujor, duke u shndërruar në oficerët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në ceremoninë e përfundimit të Kursit të Arsimimit të Përgjithshëm të Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura (AFA) ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade prof. Asoc. Bajram Begaj, komandantët e forcave, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, stafi pedagogjik i AFA, personel i KDS si dhe familjarë të kadetëve.

Në fjalën e rastit, zëvendëskomandanti i KDS dhe rektori i AFA kolonel Edmond Braneshi, u shpreh se: “Kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesë, pasi shënon kapërcimin e madh që ju bëtë duke iu bashkuar trupës së oficerëve të Forcave tona të Armatosura. Rrugëtimi prej 9 muajsh kërkoi impenjim, përkushtim, sakrificë dhe shumë mund e djersë nga ana juaj për të arritur objektivat e parashikuara në programin mësimor, objektiva këto që ju të nderuar kadetë i përmbushët më së miri. I gjithë stafi i Akademisë së Forcave të Armatosura, në veçanti Departamenti i Përgatitjes së Oficerit të Ri, të gjithë këta djem e vajza që diplomohen sot, kanë bërë një punë të shkëlqyer për të realizuar detyrat e vëna.”

Në emër të oficerëve të rinj, përshëndeti kadete Sonila Rapi, e cila duke mos fshehur emocionet e kësaj dite të veçantë, pasi falënderoi të gjithë për mbështetjen, u shpreh ndër të tjera se: “Rrjedha e jetës që kemi ndërmarrë kërkon shumë përgjegjësi dhe përkushtim të veçantë, duke marrë me vete sfida dhe përgjegjësi të mëdha, për të demonstruar vullnetin dhe aftësinë tonë për të qenë ushtarakë të denjë e të përkushtuar për t’i shërbyer vendit tonë. Pjesëmarrja e 14 vajzave ndër 54 kadetë, tregon një shembull unik inkurajimi mbi pjesëmarrjen e vajzave në Forcat e Armatosura." - përfundoi kadete Rapi.

Një përshëndetje e veçantë oficerëve të sapo diplomuar u është adresuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili pasi shprehu kënaqësinë e marrjes pjesë në këtë ceremoni shumë të veçantë, u shpreh ndër të tjera se: “Forcat tona të Armatosura nuk janë të mëdha në numër dhe është e paevitueshme që ju të mos takoheni në një të ardhme të afërt. Prandaj duke njohur njëri - tjetrin do jeni më të aftë të punoni në grup dhe të rriteni në karrierën tuaj".

Gjeneral brigade Kollçaku, përmendi dhe dy kadetët tashmë të diplomuar pranë FSK së Kosovës. "Praktika me trupa, që u rifut në programin e përgatitjes së oficerit të ri, ju ka përgatitur më së miri me atë çka ju pret kur ju t’i bashkoheni jetës së karrierës në FARSH”.

Në përfundim të fjalës së tij, gjeneral brigade Kollçaku evidentoi dhe synimin që aktualisht kanë FARSH në drejtim të përmirësimit të sistemit arsimor ushtarak në kalimin në një sistem tre - vjeçar, arsimim i cili do të mundësojë një përgatitje më cilësore të kandidatëve për oficerë.

Më tej, ceremonia vijoi me shpërndarjen e diplomave si dhe realizimin e një fotoje të përbashkët.

Untitled.png