Skip to main content
Gjysma e parë e vitit dhe prioritetet deri në 2020 5

​​​​​

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëdita! Faleminderit!

E pashë të arsyeshme që sot të bëj një komunikim, për të përmbledhur gjashtëmujorin e pare te vitit, si dhe për të nënvizuar disa prioritete lidhur me periudhën shtator 2019 – korrik 2020.

Natyrisht që pas një paraqitje që do mundohem të mos jetë shumë e gjatë, edhe pse ka shumë gjëra për të thënë, ju takon juve të bëni te gjitha pyetjet që dëshironi. Duke qënë se jam i bindur që ju do pyesni për politikën, unë politikën do ua lë juve te pyesni, ndërkohe që do fokusohem tek aspektet e qeverisjes, duke filluar me ekonominë, e cila edhe pse në një situatë krejt jo normale, që do të thotë ta pafavorshme për ekonominë, aspak nxitëse, por frenuese për investitorët dhe konsumatorin, u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21 %.

Efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm, duke patur parasysh se vitin e shkuar patëm  një vit me shumë reshje, që do të thotë edhe me një mundësi të shtuar për rritjen ekonomike, si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë

Përtej këtij fakti mbetet prioritare që të fokusohemi tërësisht më tutje tek investimet publike dhe private, vendase dhe te huaja, tek te ardhurat që, siç mund ta dini, kanë pasur një periudhë problematike për pasoje të frymës së antishtetit që u injektua në mënyrë të vazhdueshme dhe në forma shumë agresive, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit. Informaliteti tani është në fokus dhe do të mbetet në fokus përditë, deri në fund të mandatit.

Punësimi ka shënuar një përparim që në raport me trendin historik vjen me një ulje të re nga 6 mujori i parë i vitit të shkuar. Është rritur 1.4%, krahasuar me një vit më parë dhe + 0.6 krahasuar me 3 mujorin e fundit të vitit të shkuar.

Një fakt vlen të nënvizohet; Zyrat e punës vetëm në këtë 6 mujor kanë realizuar 16 mijë punësime. Por, në të njëjtën kohë, informaliteti në punë ka shënuar rritje, pra, mosregjistrimi i punonjësve, gjë e cila është integruar në operacionin anti-informalitet që do vijoje intensivisht çdo ditë, deri në fund të mandatit.

Këtu dua të ritheksoj se është një kosto e madhe, ajo që vjen si pasojë e shkeljes se ligjit, në rastet kur konstatohet, pasi demi që i vjen një biznesi të paregjistruar, apo në aktivitet informal është shumë herë më i madh, sesa fitimi përmes informalitetit.

Financat publike janë të qëndrueshme dhe borxhi rezulton me një ulje, në raport me qershorin e vitet të shkuar, – 2.16 pikë përqindje

Tregtia me jashtë, posaçërisht në zërin eksporti i produkteve bujqësore ka shënuar një rritje me 12%, ndërkohe që importi është rritur me vetëm 1.2% dhe për herë të parë kemi një ngushtim të bilancit import-eksport në sektorin ushqimor nën 3.

Dua ta theksoj fort se kemi hyrë në një faze te re, jemi në hapat e parë të një lufte pa kompromis për të garantuar sigurinë ushqimore. Siç jeni në dijeni, përpara pak ditësh, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe sanksionet për abuzuesit me produktet ushqimore, tanimë janë tejet të rënda. Ne nuk do ndalemi në goditjen e tyre. Jam i bindur se në gjysmën tjetër të vitit dhe në vitin në vijim do të kemi raste shembullore goditjesh, që nuk ia uroj asnjë sipërmarrësi në fushën e tregtisë së prodhimeve ushqimore, por askush s’duhet ta harrojë se tanimë janë një sërë sanksionesh me heqje lirie për ata që abuzojnë me ushqimin.

Në këtë gjashtë mujor kemi 16 mijë hektarë më shumë sipërfaqe tokë të ujitur. Po ashtu jemi shumë të inkurajuar nga ecuria e punës me disbursimin e fondeve europiane përmes programit të parë të financimit europian për sipërmarrësit dhe për fermerët.

Përtej të gjithë situatës aspak inkurajuese, në 6 muajt e parë të vitit kemi një rritje me 11 % të vizitorëve të huaj 2.13 milionë. Është një rritje 11% krahasuar me 6 mujorin e parë e vitit të shkuar. Sot që flasim, në Shqipëri rezultojnë 220 hotele më shumë, pra, të çelura në dispozicion të infrastrukturës së mikpritjes, sesa një vit më parë.

Por dua ta theksoj se nuk mjafton dhe vazhdojmë të punojmë intensivisht për të siguruar një volum të konsiderueshëm investimesh të huaja të turizëm. Tanimë kanë filluar hotelet me 5 yje të nënshkruajnë kontratat dhe jemi duke diskutuar intensivisht për disa projekte të mëdha, të cilat uroj që të mund të fillojmë t’i materializojmë si kontrata në pjesën tjetër të këtij viti.

Lejomëni që të mos jap më shumë informacion për  këtë, sepse janë  negociata që zhvillohen në konfidencialitet, sipas kërkesës së sipërmarrësve, të investitorëve të huaj që hyjnë në investitorët e mëdhenj të tregut global të turizmit.

Përsa i përket infrastrukturës, më në fund, rruga Tiranë- Elbasan nuk është më në agjendën e shqetësimeve të atyre që e përdorin atë aks dhe as të qeverisë, është përfundimisht në dispozicion në gjatësinë e saj të plotë. Të gjitha peripecitë dhe zvarritjet e pafundme, si rezultat i projektit skandaloz dhe procedurave skandaloze të kryera në të shkuarën, i përkasin të shkuarës.

Është hapur sipas zotimit, një korsi që lehtëson ndjeshëm trafikun në Bypass-in e Fierit. Synojmë që përpara sezonit të ardhshëm, Bypass-i i Fierit të jetë i tëri në dispozicion të të gjithë atyre që do të qarkullojnë drejt Vlorës, apo nga jugu, përmes Fierit, drejt Tiranës dhe më tej.

Janë realizuar 40% e punimeve në rrugën e Arbrit. Është një progres shumë i kënaqshëm dhe falë partneritetit publik, privat, një termi të kriminalizuar si rezultat i shfrenimit propagandistik, shumë shpejt, Dibra dhe gjithë ajo zonë e izoluar prej dekadash, për të mos thënë shekujsh, do të jetë e lidhur me kryeqytetin dhe do të jetë faktikisht një territor i ri, që do të zbulohet në sytë tanë, një jastëk i gjelbër i Tiranës në një aks me bukuri përrallore dhe me potenciale fantastike.

Ka përfunduar edhe odisea për çeljen e tunelit panoramik të Pogradecit.

Së shpejti nisin punimet për aksin Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Aksi Milot-Balldren është pjesë e Korridorit Blu, pra, korridorit europian dhe pjesë e projekteve rajonale të Procesit të Berlinit. Ndërsa Orikum-Dukat është një tjetër aks me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit, të cilit duam t’i bashkojmë tunelin e Llogarisë, për të cilin ka nisur studimi dhe së shpejti nis projekti. Më tej është prioritet nisja e punës për rrugën Shëngjin-Velipoj, po ashtu për rrugën e Thethit, projekte këto tanimë të finalizuara dhe të financuara, që thjeshtë janë në fazat e fundit të procedurave. Nga ana tjetër është rruga e shumë premtuar dhe e shumëpritur e Semanit.

Të gjitha këto në kuadrin e një programi  që do të fokusohet në periudhën në vijim, pra, shtator të këtij viti – korrik 2020, fuqimisht tek infrastruktura turistike dhe ajo e lehtësimit të qarkullimit të produkteve bujqësore.

Do të nisim së shpejti rrugën Buz-Markuc, e cila do të integrojë të gjithë zonën e Himarës dhe të lumit të Vlorës, duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë edhe me pjesën e Tepelenës dhe gjithë zonën e mrekullueshme malore të Tepelenës, ku kanë nisur edhe disa investime inkurajuese përsa i përket turizmit dhe agroturizmit.

Do të vijojmë me projekte domethënëse me Beratin dhe me Gjirokastrën. Padiskutim, Shkodra do të marrë një rëndësi të veçantë. Do të jetë një zonë me prioritet strategjik dhe kur flas për Shkodrën, kam parasysh qytetin e Shkodrës, por edhe të gjithë rajonin e Shkodrës. Për këtë jemi përgatitur dhe kemi një sërë projektesh, që nga finalizimi i projekteve të nisura, ose ende të mbetura në start për shkak murit shurdh të deridjeshëm të Bashkisë Shkodër, deri tek disa projekte më të gjëra, që synojnë të krijojnë një atraksion të ri turistik që nga Liqeni deri në Alpe.

Do të kemi në fokus Pogradecin, një tjetër zonë me një potencial të madh turistik, ku jemi gati me disa projekte të rëndësishme, të cilat nuk kemi mundur t’i startojmë më parë, sepse i kemi rënë Pogradecit gjithmonë anash, për shkak se kemi pasur një pamundësi të plotë komunikimi me bashkinë.

Do të fokusohemi në krijimin e aksesit në tre parqe të mrekullueshme të vendit, që sot janë pa akses, Parku i Lurës, Parku i Korabit dhe Parku i Shebenikut në zonën e ndërmjetme, midis Librazhdit, Dibrës dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër do të ecim me projektin e rrugës Berat – Fier, një aks në gjendje të mjerë, por shumë i rëndësishëm për komunikimin, jo vetëm të mjeteve thjesht, por edhe përsa i përket produkteve.

Paralelisht me turizmin do të zhvillojmë disa projekte në infrastrukturën që lehtëson fermerët, lehtëson sipërmarrësit në bujqësi, duke filluar nga Konispoli, poshtë në Fier, në Elbasan, në Krocë. Programi “100 fshatrat” ka filluar të futet në rrugën e disa realizimeve të vogla, por që do të pasohen me disa realizime më domethënëse. Deri në korrikun e ardhshëm do të kemi një volum domethënës investimesh në infrastrukturën turistike dhe në infrastrukturën në shërbim të produkteve bujqësore, si dhe në funksion të Programit “100 Fshatrat”.

Përsa i përket sektorit të energjisë kemi pasur një vit, ose një periudhë do thoja të lumtur, me konfirmimin e zbulimit të madh të rezervës në Shpirag dhe jemi duke diskutuar edhe disa blloqe të tjera dhe duke parë mundësinë e diversifikimit të pranisë së kompanive të mëdha në këtë sektor strategjik. Zbulimi në Shpirag ka ngjallur një interes të madh nga kompanitë e mëdha, sepse ka konfirmuar praninë e mundshme të një superrezerve nafte e gazi në të gjithë pellgun që shtrihet deri në bllokun e Dumresë.

Përfundimisht, të gjitha HEC-et nën 2 megavat janë konstatuar si të dëmshme, jo vetëm jo të dobishme, por edhe të dëmshme. Ka përfunduar procesi i premtuar i skanimit të kontratave dhe ka filluar procesi për ndërprerjen e 27 kontratave në 27 pika ku me të drejtë ka 27 komunitete të acaruara me vendimmarrje që janë thjesht vendimmarrje për t’u harruar dhe për t’u fshirë nga lista.

Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 megavat dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit.

Për fat të mirë, shifrat përsa i përket kriminalitetit tregojnë se në këtë aspekt nuk jemi afektuar, çka ishte shumë e mundshme, nga 6 muajt e revolucionit imagjinar antishtet. Faktikisht vërejmë me kënaqësi që përtej ekranit, të okupuar nga e gjithë katrahura politike e Tiranës, janë finalizuar nga Forca e Ligjit, Task-forca e ngritur posaçërisht për të luftuar krimin e organizuar, 10 operacione më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, plot 20 operacione. Janë goditur 12 grupe kriminale dhe shumë e rëndësishme, është sekuestruar një pasuri me vlerë 47.2 milionë euro, ose e thënë ndryshe, 45 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë.

Përsa i përket kriminalitetit të rrugës, po e quajmë, të gjitha shifrat janë të qëndrueshme në aspektin e një progresi që natyrisht mund të kishte qenë edhe më i madh, nëse policia nuk do ishte e okupuar ditë-natë, psikologjikisht dhe në mënyrë sistematike fizikisht, me përmbajtjen e valëve të lëvizjes antishtet.

Nuk po hyj në të gjithë detajet, po them vetëm që vettingu në Policinë e Shtetit ka nisur nga rreth 300 grada të larta që do i nënshtrohen vettingut, ka filluar verifikimi për 45 dosjet e para. Tani do të avancojmë me aktin normativ me të gjitha pagesat jashtë orarit për Policinë e Shtetit. Jemi përgatitur dhe tanimë do të aprovojmë një reformë të domosdoshme për uljen e moshës mesatare në Policinë e Shtetit, duke dhënë një mundësi daljeje për të gjithë punonjësit e policisë nga 55-65 vjeç. Nuk mund të ketë në trupën aktive të policisë punonjës mbi 55 vjeç. Është e pakuptimtë. Por rrugëdalja duhet të jetë financiarisht kuptimplotë dhe nga pikëpamja e modaliteteve, plotësisht e arsyeshme dhe ne e kemi zgjidhur këtë në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

Është bërë gati një njësi super speciale, e cila do të hyjë shumë shpejt në aktivitet, pasi është trajnuar intensivisht me një trupë elitë të zgjedhur dhe që do të merret ekskluzivisht me të gjithë të fortët e rrugëve, të lagjeve, apo qyteteve. Ajo që e kam anonçuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presonit intensiv, që do të shkojë në rritje nga ana e Policisë së Shtetit, kundër këtyre tipave, të cilët, nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri, duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që do të jenë shumë, shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi më të marrin frymë.

Ka disa rezultate të rëndësishme, besoj, në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale Shifrat e thonë, jo se e them unë. Kontrolli bazë, përtej të gjithë propagandës së shfrenuar dhe baltës së pafundme që është hedhur, tanimë po konsolidohet si një praktikë e mirë qytetare dhe janë thuajse 250 mijë qytetarë që kanë përfituar nga Check-up falas; ndërkohë që janë kryer 34235 ndërhyrje kirurgjikale falas në 29 spitale të vendit; 25020 seanca dialize falas; 1302 pacientë kanë kryer falas shërbimin e dializës, falë paketës së shërbimit në spitale private.

Janë afër zeros infeksionet spitalore, të konstatuara që ishin një gangrenë e sistemit tonë shëndetësor për shkak të instrumenteve operatore apo kirurgjikale të ndryshkur, apo të marrë fund dhe kjo falë procesit modern të sterilizimit dhe PPP-së tjetër për rinovimin e të gjithë instrumenteve kirurgjikalë në shërbimin shëndetësor të Shqipërisë, ku infeksionet ishin në fenomen skandaloz dhe që i kushtonin jashtëzakonisht shumë, qoftë në pikëpamje të shëndetit, qoftë në pikëpamje të shpenzimeve, pacientëve që duhet të rrinin jashtë kohës së nevojshme që duhet të rrinin në spital, që nga nënat në maternitete dhe që patjetër i kushtonin edhe shërbimit.

Nisur nga bonusi i bebes kemi një numër të rritur lindjesh në 6-mujorin e parë, 15135 fëmijë përfitues, ndërkohë që jam i bindur që ky efekt do të vijë duke u përmirësuar si rezultat i kësaj politike që ka rezultuar e suksesshme në vende të tjera, nuk kemi shpikur asgjë dhe që mendoj që po jep shenjat e veta të para.

Kemi zgjidhur përfundimisht çështjen e mungesës së mjekëve në spitale, si rezultat i 4 viteve pa specializime në periudhën 2009-2013. Sot kemi 139 mjekë të punësuar pas përfundimit të specializimeve që janë hapur sërish dhe normalisht për të pestin vit radhazi dhe 231 mjekë të rinj kanë filluar këtë vit specializimet.

Nuk po numëroj ndërhyrjet në infrastrukturë, janë një sërë ndërhyrjesh, por më vjen mirë ta nënvizoj se janë hapur më në fund, pas dekadash, kantieret për maternitetin e Beratit dhe të Lezhës, si dhe për spitalin e Kukësit.

Urgjenca mjekësore, sipas të dhënave elektronike ka një përmirësim të jashtëzakonshëm, në raport me të shkuarën, gjithnjë, flas. Shtimi i flotës me 37 autoambulanca të reja e ka reduktuar kohën e mbërritjes dhe janë 49987 qytetarë përfitues nga ky shërbim.

Po përfundojnë proceset përgatitore për fillimin e investimit të NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës dhe është finalizuar marrëveshja dypalëshe me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për marrjen e helikopterëve Black Hawk. Ka një sërë elementësh me rëndësi dhe duhet t’i falënderoj FA për angazhimin e tyre në shërbim të komunitetit, gjithmonë jashtë vëmendjes së publikut dhe përtej ekraneve që 6-mujorin e parë ishin të okupuar me forca të tjera, edhe ato të armatosura, por ilegalisht dhe dua të nënvizoj faktin që ka nisur rindërtimi i shtëpive të prekura nga tërmeti në zonën e Korçës.

Po ashtu më vjen mirë që në këtë periudhë të parë të vitit janë përmbushur sipas afateve të përcaktuara të gjitha angazhimet e Paktit për Universitetin dhe pjesa tjetër është brenda afateve. Së shpejti fillon rindërtimi i konvikteve në Shkodër, Vlorë dhe në Korçë. Po bëhet gati financimi për konviktet e Elbasanit dhe të Gjirokastrës. Janë në rrugë dhe do të përfundojnë të gjitha konviktet në Kampusin e Tiranës. Po përgatitet i gjithë plani i madh i rindërtimit dhe i ndërtimit të godinave të reja në Kampusin e Tiranës. Është një program që do ta realizojmë me Bashkinë e Tiranë, sëbashku dhe brenda këtij mandati të ri të Bashkisë së Tiranës, Tirana do ketë një kampus të ri universitar, fantastik dhe e gjithë qytetstudentëria, e trashëguar nga e shkuara dhe krejt e pamjaftueshme për të sotmen, do i përkasë të shkuarës.

88 mijë studentë kanë përfituar nga përgjysmimi ose mbulimi i plotë i tarifave, sipas kategorive. Kanë dalë disa lajme sikur tarifat nuk do të mbulohen sipas kategorive për sezonin e ardhshëm, por është gënjeshtër, nuk ka diskutim se kjo do të ndodhë edhe në sezonin që fillon. Do të lajmërohen të gjithë ata me 5-sa e me 6-ta që për 2020-2021-in nuk ka më mbulim, nëse nuk përmirësojnë notat, por në këtë sezon që nis është për të gjithë.

Janë punësuar 459 studentë ekselentë në Shërbimin Civil dhe në pozicionet me Kod Pune; 5 studentë ekselentë kanë hyrë në Shërbimin Diplomatik në vazhdën e reformës së iniciuar nga ministri i Jashtëm; 951 praktikantë, 200 prej të cilëve janë punësuar në institucionet publike.

Nuk po zgjatem me të gjitha aspektet e tjera që kanë të bëjnë me bibliotekën online, që kanë të bëjnë me projektet për kërkimin shkencor, apo me sondazhin kombëtar të studentëve, por po e mbyll duke thënë që sot janë mbi 20 mijë Karta Studenti të shpërndara dhe procesi vazhdon.

Përsa i përket drejtësisë jeni dëshmitarë, ka çelur dyert dhe tani jemi duke dhënë edhe mbështetjen e fundit financiare për pajisjen me infrastrukturë digjitale dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshëm të kompleksit të Polit të Drejtësisë, ku do të stabilizohen institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, si dhe shkolla e Magjistraturës, një nevojë e kahershme më në fund plotësohet dhe vihet në funksion infrastruktura e re për mirëfunksionimin e sistemit të ri.

Shpresoj që kjo fjalë t’i qëndrojë gjykimit tuaj të kohës, që  deri në fund të vitit të çelim dyert e Teatrit të ri Kombëtar të Operas dhe Baletit, që më në fund transformohet nga një gjysmë gërmadhë në një teatër opere europian. Kur ta shihni, përgatituni që t’u besoni syve. Nuk ka asnjë ekzagjerim në këtë që po them. Ndërkohë që në drejtim të kulturës kemi ende disa boshllëqe serioze. Kemi filluar projektin e Bibliotekës së re Kombëtare. Kemi filluar të punojmë për Teatrin e ri të Fëmijëve. Po diskutojmë për projektin e një strukture binjake në raport me historinë, por pak më tutje në histori, sesa struktura e Bunk’arteve dhe e Shtëpisë së Gjetheve dhe po diskutojmë për një dyshe të Muzeut të Parlamentit, aty ku është sot Teatri i Kukullave dhe Muzeut të Monarkisë, aty ku është sot Pallati i Brigadave, por jemi ende në proces diskutimesh. Njëkohësisht po punojmë për projektin e një muzeu të ri, ku duam me patjetër që në zemër të jetë historia e shpëtimit të hebrenjve përgjatë luftës dhe kjo lidhur me të gjithë traditën e mikpritjes dhe të besës shqiptare. Por si lajtmotiv do të jetë hapësira e kulturës hebreje në Shqipëri.

Në shtator do të fusim në procedurë projektligjin e shumëpremtuar, e shumëpritur dhe e shumëkërkuar, të sportit, duke praktikisht iu dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve e kërkesave të komunitetit të sportit, të cilat janë trajtuar edhe në tryezën e përbashkët me FSHF-në, apo të tjera pjesë të sportit.​

Pyetjet dhe përgjigjet gjatë konferencës mund ti lexoni në këtë link: https://www.kryeministria.al/newsroom/gjysma-e-pare-e-vitit-dhe-prioritetet-deri-ne-2020/

Konferenca.jpg