Skip to main content
Ministrja Denaj, interpelancë me biznesin për zbatimin e Planit Operacional kundër Informalitetit 5

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anilda Denaj, zhvilloi sot një interpelancë me përfaqësues të biznesit lidhur me Planit Operacional në kuadër të luftës kundër Informalitetit.
Gjatë interpelancës të realizuar nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes, Ministrja Denaj, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlind Gjokuta, iu përgjigjën pyetjeve të biznesit në lidhje me vizionin dhe qëllimin që ka qeveria për zbatimin e këtij plani.
Ministrja Denaj theksoi para përfaqësuesve të biznesit se puna për hartimin e këtij plani ka nisur në muajin prill dhe zbatimi i tij do të shtrihet gjatë gjithë vitit, ndërkohë që tre janë sektorët më me risk, hoteleri-turizëm, sektori i ndërtimit dhe produktet e akcizës.
“Më duhet të ritheksoj se nuk kemi të bëjmë me një aksion, por me një plan operacional. Lufta kundër informalitetit ka qenë dhe do të jetë e orientuar drejt jetëgjatësisë, drejt eleminimit të gjithë evazionit dhe kjo do të bëhet me instrumente të tjerë përveç atyre që janë sot në fuqi. Informaliteti është një problem që shqetëson jo vetëm ministrinë, administratën tatimore e doganore, por edhe biznesin, sidomos atë të ndershëm, i cili punon sipas rregullave ligjorë. Përpjekjet tona do të jenë të vazhdueshme për të mbështetur sipërmarrjen dhe për të rritur konkurrueshmërinë sipas të gjithë vlerave e standardeve ligjore në vend”, tha ministrja Denaj.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e biznesit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë u shprehën se mbështesin fort qeverinë në betejën kundër informalitetit dhe angazhimin për një qasje të re në modernizimin e instrumenteve fiskalë. Ata kërkuan që lufta ndaj informalitetit të mos jetë një aksion momental, por një punë e vazhdueshme nga ana e institucioneve shtetërore.
Ministrja Denaj informoi se është duke u punuar me draftin e ligjit të faturës elektronike, që do të paraqitet për konsultim publik në muajin gusht. “Kjo kornizë ligjore synon që në vitin 2021 ne të kemi fatura elektronike në të gjithë marrëdhëniet, si “cash”, pra biznes- klient, ashtu edhe “jo cash”, biznes me biznes, që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar, por pse jo të përfshijë të gjithë spektrin e transaksioneve edhe nëpërmjet sistemit dhe qeverisë. Kjo do të thotë se e gjithë platforma e qarkullimit do të jetë elektronike dhe nuk do të jetë për totalin e xhiros në fund të ditës, por do të jetë për çdo faturë, për çdo artikull, në mënyrë që të mundësojë një informacion të plotë, të jemi efektivë dhe të shkojmë drejtpërdrejt aty ku ndodh evazioni më i madh”, tha znj.Denaj.
Në përfundim të interpelancës, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë garantoi përfaqësuesit e biznesit se ngritja e këtij sistemi të ri dhe modern do të jetë një betejë e fituar përgjithmonë në luftën kundër informalitetit.

foto-interpelanca.png