Skip to main content
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon finalen e konkursit të interpretuesve të fjalimeve parlamentare për vitet 1920 -1924 5

​Në kuadër të 100- vjetorit të parlamentit të parë shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi finalen e konkursit për interpretuesit e fjalimeve parlamentare. Dhjetë finalistë të përzgjedhur pas një faze paraprake të konkurrimit në bazë të shkollave të mesme publike, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, sollën interpretimet e fjalimeve të figurave me peshë historike si Ahmet Zogolli, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Hiqmet Delvina, Fan Stilian Noli, Luigj Gurakuqi etj.​

Të pranishëm në jurinë e garës ishin dy Zëvendëskryetarët e Kuvendit, z. Myslim Murrizi dhe znj. Vasilika Hysi, tre përfaqësues nga administrata e Kuvendit, z. Odise Plaku, znj. Manjola Arizaj dhe znj. Merita Fanko Vukaj, njëherësh edhe moderatore e aktivitetit; si edhe kryetar jurie, aktori dhe profesori i Akademisë së Arteve, z. Kastriot Çaushi.

Juria shpalli fitues të garës interpretuesin e fjalimit të Fan S. Nolit, Ergi Nushin nga qyteti i Lushnjes. 9 nxënësit e tjerë u vlerësuan me certifikata dhe nga një dhuratë simbolike. Në fund të konkursit, nxënësit dhe mësuesit nga dhjetë shkollat konkurruese të qytetit të Lushnjes dhe Tiranës, u njohën me ekspozitën e materialeve dokumentare, akteve dhe fotove me vlerë historike nga 100-vjetori i parlamentarizmit, si edhe vizituan mjediset e sallës së seancave plenare.

Konkursi i interpretuesve të fjalimeve parlamentare në vitet e para të parlamentarizmës përmbylli javën e disa aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të parlamentarizmës, mes të cilave një ekspozitë, një konferencë shkencore dhe dita e hapur e parlamentit. 

kuvendi - konkursi.jpg