Skip to main content
Takim i Guvernatorit Sejko me Misionin e Bankës Botërore në kuadër të Mbështetjes së Politikave Makrofiskale 5

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me Misionin e Bankës Botërore, i cili po viziton Shqipërinë në kuadrin e Mbështetjes së Politikave Makrofiskale. Ky Mision përbëhet nga zj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri, zj. Gallina Andronova Vincelette, Menaxhere pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin, zj. Johanna Jaeger, Kryeeksperte në Sektorin Financiar dhe përfaqësues të tjerë të BB-së.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore i fokusuan diskutimet në fushën e politikave fiskale, në kuadër të programit në proces të mbështetjes buxhetore, si dhe në fushën e zhvillimit të sistemit financiar.

Në lidhje me çështjet fiskale, Misioni theksoi nevojën për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë fiskale, si elemente të rëndësishme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike të vendit.

Në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, Misioni theksoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar të kontribuojë në zbatimin e plotë të programit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme dhe në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave. Gjithashtu, ata parashtruan mundësinë e dakordimit të programeve të përbashkëta në të ardhmen, të cilat do të mundësonin përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditimit.

Nga ana e tij Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka mbështetur dhe vijon të mbështesë konsolidimin fiskal, si një proces i cili ndihmon rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit. Gjithashtu, ai theksoi rolin pozitiv që koordinimi i politikave monetare e fiskale ka në rritjen e efektivitetit dhe në krijimin e parakushteve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Guvernatori shprehu mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për nismat që synojnë rritjen e formalizimit të ekonomisë shqiptare dhe forcimin e shëndetit të financave publike, duke nënvizuar kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë dhe do të japë në këtë fushë.

Më tej, Guvernatori i njohu të pranishmit me sfidat kryesore me të cilat përballet sot Banka e Shqipërisë, një ndër të cilat është dhe nxitja e kreditimit. Nxitja e kreditimit ka qenë në vëmendje të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, për rëndësinë që ka në zhvillimin e qëndrueshëm financiar të vendit. Së fundi, Banka e Shqipërisë ka organizuar dhe një takim të veçantë me drejtuesit e sektorit bankar me qëllim adoptimin e një filozofie të përbashkët zhvillimi dhe hartimin e një plani konkret masash për përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së kreditimit, si dhe zgjerimin e gamës së produkteve financiare të këtij sektori.

Lidhur me programet e zhvillimit të sektorit financiar, Guvernatori Sejko njohu Misionin e Bankës Botërore me hapat konkrete të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të fundit. Në veçanti, ai theksoi se projektligji “Mbi shërbimet e pagesave”, i hartuar me asistencën teknike të Bankës Botërore, është dorëzuar në Kuvend dhe se po vijon puna për hartimin e projektligjit mbi llogarinë e pagesës që transpozon direktivën përkatëse evropiane. Miratimi i këtyre projektligjeve do të ndihmojë rritjen e shkallës së përfshirjes financiare, do të stimulojë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave dhe do të kontribuojë në uljen e kostos së tyre. Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e BB-së edhe me nismat e Bankës së Shqipërisë për përfundimin e programit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme, duke u ndalur më në detaje në çështjen e trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve të mëdhenj.

Në mbyllje, të pranishmit identifikuan disa fusha potenciale bashkëpunimi të ardhshëm, si përmirësimi i rregulloreve mbi vlerësimin e kolateralit dhe programe të mundshme të Bankës Botërore në interes të reduktimit të rrezikut të kreditit në vend.

Në mbyllje, Guvernatori Sejko vlerësoi kontributin e Bankës Botërore në zhvillimin e vendit në mbështetje të reformave strukturore dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve në Shqipëri. Guvernatori theksoi se ky kontribut ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë në përmirësimin e fushave specifike të veprimtarisë së saj dhe shprehu angazhimin e institucionit që ai drejton për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm edhe në të ardhmen.

Banka e Shqiperise.jpg