Takimi nisi me fjalën e Guvernatorit Sejko, i cili u shpreh se gjatë vitit 2020, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë një rënie të ndjeshme, si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë Covid-19.
Në këtë realitet të ri të krijuar nga pandemia Covid-19, Guvernatori Sejko theksoi se ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe garantimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë përbën një sfidë serioze, përballimi i së cilës kërkon harmonizimin e veprimeve ndërmjet të gjithë aktorëve të tregut.
Në vijim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko veçoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga autoritetet publike për përballimin e kësaj situate, ku thelbësore janë dy paketat fiskale të miratuara nga qeveria, të cilat ofrojnë një stimul për nxitjen e kërkesës agregate, për zbutjen e problemeve të likuiditetit dhe për shmangien e pasojave afatgjata të krizës në ekonomi. Guvernatori vlerësoi dhe miratimin e fondeve për garancitë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare për të mbështetur me kredi bankare kompanitë, me qëllim kryerjen e pagesave mujore të punonjësve të tyre dhe mbulimin e nevojave të tjera shtesë.
Ndërkohë, masa të rëndësishme për përballimin e kësaj situate janë ndërmarrë dhe nga Banka e Shqipërisë. Në cilësinë e autoritetit monetar në vend, Banka e Shqipërisë aktivizoi një sërë masash të rëndësishme që synojnë të zbusin efektet negative të pandemisë Covid-19 në ekonomi dhe të krijojnë të gjitha parakushtet e nevojshme për të ofruar një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë shqiptare.
Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5 për qind, furnizimi me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar në vend duke hequr kufijtë sasiorë, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, si dhe shtyrja me një tremujor e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare. Por pavarësisht masave të ndërmarra nga autoritetet publike, Guvernatori Sejko u shpreh se bizneset dhe sektori bankar duhet të jenë mjaft aktivë dhe bashkëpunues për të përballuar sfidat e së ardhmes. Në këtë drejtim, Guvernatori veçoi disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat do të përballet biznesi dhe sektori bankar në realitetin e post-Covid. Realiteti i ri do të kërkojë që biznesi të jetë më realist në planet e tij por dhe të jetë më i kujdesshëm në administrimin e likuiditetit.
Nga ana tjetër, Guvernatori Sejko vlerësoi kontributin e rëndësishëm që sektori bankar jep në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë realitet të ri të krijuar nga pandemia Covid-19, ai theksoi se është e domosdoshme që sektori bankar të gjejë dhe të ruajë një ekuilibër të drejtë midis mbështetjes së kredimarrësve në nevojë – në interes dhe përfitim afatgjatë të dyanshëm, pa cenuar sigurinë e kursimeve të qytetarëve dhe stabilitetin financiar të vendit – dhe ruajtjes së shëndetit të bilanceve të tij.
Ruajtja e stabilitetit financiar të vendit është e lidhur me shëndetin e biznesit dhe në kushtet e krijuara nga pandemia Covid-19, bankat mund të ndihmojnë klientët në vështirësi më serioze nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën një ristrukturimi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiva afatgjatë e biznesit mbetet solide. Guvernatori u shpreh se marrja e këtyre vendimeve nuk duhet të ndikojë në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, dhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, zj. Ines Muçostepa, vlerësuan masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe shprehën këndvështrimet e tyre në lidhje me situatën ekonomike të krijuar nga Covid-19.
Më pas, takimi vijoi me diskutime dhe shkëmbime mendimesh midis të pranishmëve. Në mbyllje të tij, takimi u vlerësua shumë frytdhënës nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët shprehën angazhimin e tyre për krijimin e një platforme të përbashkët pune për periudhën në vijim.
