Skip to main content
Vizitë e delegacionit të Avokatit të Popullit të Shqipërisë në Kosovë 5

Një delegacion i institucionit të Avokatit të Popullit të Shqipërisë zhvilloi këto ditë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Delegacioni kryhesohej nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e shoqëruar nga Komisionerja e Seksionit të përgjithshëm Vilma Shurdha dhe Komisionerja e Seksionit të Fëmijëve Neila Peka. Axhenda përfshinte takime të nivelit të lartë me institucione kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në fillim përfaqësia e Avokatit të Popullit nga Shqipëria u prit nga zyra homologe e Avokatit të Popullit të Kosovës me të cilën institucioni ynë ushqen prej vitesh një marrdhënie vëllazërore bashkëpunimi.

Në takimin midis dy institucioneve, dy titullarët, Hilmi Jashari nga AP i Kosovës dhe Erinda Ballanca nga AP e Shqipërisë shprehën konfirmimin e nivelit të shkëlqyeshëm të bashkëpunimit dhe marrdhënies sonë tashmë të konsoliduar.

Më pas, delegacioni shqiptar, i shoqëruar edhe nga Avokati i Popullit të Kosovës u prit në një takim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga kryetarja e kësaj Gjykate, Arta Rama-Hajrizi.

Në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për plotësimet e nevojshme të kuadrit ligjor, me qëllim të thellimit të reformave të mëtutjeshme në sistemin gjyqësor të të dyjave vendeve dhe për përvetësimin e praktikave evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Të dyja palët gjithashtu nënvizuan rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve dhe ruajtjen e pavarësisë funksionale të gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, si parakusht thelbësor për funksionimin e demokracisë kushtetuese në çdo vend.

Më tej, delegacioni i Avokatit të Popullit zhvilloi takim në institucionin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku u prit nga kryetari i kësaj gjykate, Enver Peci.

Kryetari Peci dhe avokatja Ballanca kanë diskutuar për një varg çështjesh me rëndësi nga fusha e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri, për sfidat, me të cilat po përballen të dyja vendet në ndërtimin e një sistemi gjyqësor efikas, transparent dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në fund, në një tjetër takim të rëndësishëm, delegacioni ynë u prit në Kuvendin e Kosovës nga nënkryetari, Xhavit Haliti dhe deputetë të forcave të ndryshme politike.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, theksoi se ekziston nevoja e këmbimit të përvojave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe e diskutimit të çështjeve në të cilat ngecin të dy vendet.

Nga ana e saj, Avokatja Erinda Ballanca, theksoi nevojën e një adresimi më të madh të rekomandimeve të këtij institucioni.

Të gjitha takimet e delegacionit shqiptar u ndoqën me interesim të madh por gjithashtu në përfundim të kësaj vizite të suksesshme edhe grupi zyrtar nga institucioni i Avokatit të Popullit u largua nga Kosova me përshtypjet më të mira dhe me besimin se përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave tona do të arrijmë ta forcojmë e ta ngremë në nivele më të larta lidhjen shpirtërore që ekziston mes Shqipërisë e Kosovës.​

Avokatiiii.jpg