Skip to main content
Veliaj dhe Soreca me të rinjtë: Ta kthejmë Tiranën në kartolinën më të bukur për Shqipërinë! 5

Nga Reja, instalacioni më atraktiv për zhvillimin e aktiviteteve artistike e kulturore tashmë në Tiranë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, së bashku me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca dhe Drejtoreshen Ekzekutive të Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci  zhvilluan një takim me një grup të rinjsh, pjesë e kalendarit të aktiviteteve “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Veliaj, ashtu sikurse dhe Soreca u bënë thirrje të rinjve të aktivizohen për këtë ngjarje të rëndësishme që zgjat 365 ditët e vitit të ardhshëm dhe do ta kthejë metropolin shqiptar në epiqendrën e të rinjve të Europës. 
“Jam i lumtur që Tirana është Kryeqyteti i parë i Rinisë që e ka të gjithë vitin e hapur pas pandemisë. Kemi planifikuar rreth 1000 aktivitete, por jam i sigurt që edhe 1000 të tjera mund të shtohen si pjesë e kalendarit. Ftesa që ne duam të bëjmë sot është: Nëse dikush ka një ide, një propozim, apo një datë të shënuar, mund të jetë një grup që merret me aktivitete sportive, që inspiron sporte ekstreme, apo dikush që do të bëjë një seminar, panair, ne duam që Tirana të bubërrojë nga aktivitete rinore dhe nga energjia e tyre,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj. 
Ai gjithashtu apeloi për ta kthyer këtë vit në një kartolinë të bukur për Shqipërinë dhe për turizmin shqiptar. “E shohim këtë edhe si një mundësi fantastike dhe si një kartolinë për Shqipërinë. Shqipëria është sot një nga vendet më të sigurta, më mendjehapura, një nga vendet që ka kaluar 30 vite të vështira të tranzicionit, por ka bërë një kapërcim galopant. Ndaj duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht. Është vetëm çështje kohe derisa frenat e këtij vendi të jenë në duart e djemve dhe vajzave që janë këtu, apo atyre që do përfshihen në këtë vit fantastik,” theksoi Veliaj. 
Nga ana e tij, ambasadori Soreca tha se Bashkimi Europian është gjithmonë i gatshëm të mbështesë nismat që burojnë nga iniciativa rinore, të cilat, siç u shpreh ai, janë inkurajuar prej tij personalisht me të ardhur në krye të delegacionit të BE. 
“Të rinjtë dhe fuqizimi i rolit të tyre ka qenë një nga detyrat e mia kryesore që prej fillimit. E kemi nisur që prej 2019-ës me “Javën e Europës”, në të parën “Javë të Europës” për mua. Unë pata kurajon që të bind të gjitha institucionet e larta në “Pallatin e Brigadave” dhe i mbajta ata për 25 minuta duke u folur për fuqinë e të rinjve. Ky ishte fillimi i një udhëtimi ku zyra që unë përfaqësoj, Delegacioni i BE, ka qenë jashtëzakonisht pranë problemeve të tyre. Ndaj, kur Erioni më ftoi, më lumturoi shumë dhe që nga ai moment i sigurova gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ne jemi gati t’ju ndihmojmë që të kemi sa më shumë evente që të jetë e mundur,” u shpreh ambasadori Luigi Soreca.
Drejtoresha Ekzekutive Kongresit Rinor Kombëtar u shpreh se ky titull është një përgjegjësi e përbashkët dhe se të rinjtë aktiv dhe të interesuar do kenë mundësi përgjatë gjithë fazës parapërgaditore dhe implementimit të angazhohen aktivisht duke rritur maksimalisht përfshirjen dhe përfaqësimin e të gjitha ngjyrave që karakterizojnë rininë. Titulli është emblema e vitit 2022 dhe kjo emblemë duhet të mbahet jo vetëm nga të rinjtë e Tiranës por nga e gjithë shoqëria shqiptare.

​​reja.jpg